Lidhje

Karriera e këngëtares Macy Gray


Macy Gray shpërtheu në skenën e muzikës në fillim të shekullit me këngën e saj - I Try - dhe asnjëherë nuk e ktheu kokën prapa. Zëri i saj i çjerrë i jep çdo zhanri të muzikës një dimension tjetër, si kur këndon xhaz, R&B apo soul. Dhe ky zë ka bërë audiencën e të gjitha ngjyrave në mbarë botën të vërshojnë në koncertet e saj.

Macy Gray nuk kalon dot pa rënë në sy me flokët e saj të dendur, por është më e njohur për hitet e saj. Kënga I Try, regjistruar në vitin 1999, ka gjithmonë një audiencë që e shoqëron. Bile edhe ata që nuk flasin anglisht këndojnë. "Shkuam në Turqi njëherë dhe më kujtohen dy artëdashës në radhët e para të koncertit që dinin çdo fjalë dhe më shikonin të habitur gjithë kohën saqë më futën frikën. Pas shfaqjes arritën të vinin prapa skenës dhe mësova se nuk flisnin asnjë fjalë anglisht, asnjë... vetëm dinin të thonin : I love you Macy Gray, dhe u përpoqen të më puthnin", kujton këngëtarja.

Tani, artdashësit e admirojnë atë. Por Gray thotë se fëmijëria në Canton të Ohios nuk ishte e lehtë. Ajo binte në sy ngaqë ishte ndryshe. "Isha ndryshe nga zëri, këmba e madhe, isha shumë e gjatë dhe e hollë kur isha fëmijë dhe kisha shumë flokë që ende nuk dija si ti krihja. Flokët i kisha gjithandej. Isha një nga ata fëmijët që gjithmonë ngacmohen".

Atëherë emri i saj ishte Natalie mcIntyre. Emrin e ri e mori nga një komshie e moshuar: "Po ngisja biçikletën dhe u rrëzova. Kur u ngrita pashë se isha nën një kuti poste që mbante emrin Macy Gray. Isha fëmijë dhe më ndoqi ky emër pasi gjithmonë në klasë në tregimet që krijoja kishte gjithmonë një karakter me emrin Macy Gray", shpjegon ajo.

Me emrin dhe zërin e pazakontë ajo tërhoqi shumë vëmendje: "Besoj se muzika mund të të shpëtojë jetën. Nëna ime gjithmonë më fuste në aktivitete me atmosferë krijuese dhe kjo ndikoi shumë në qënien time dhe në faktin që arrita ti ktheja endrrat e mija në realitet." Dhe meqë muzika i ndryshoi jetën ajo dhuron shumë për ata më pak me fat. "E ndërtuam këtë shkollë dhe po shkon shumë mirë. Po përpiqemi të ndihmojmë fëmijët në zonat e varfëra me të ardhura të pakta, që vijnë nga familjet me probleme për ti futur në shkolla. Është diçka shumë e mirë".

Macy Gray, e talentuar, me këmbë në tokë dhe me zemër të madhe. Albumi i saj i ri titullohet Big dhe pritet në treg në muajin shtator. //rd//

XS
SM
MD
LG