Lidhje

Sfidat e reja të politikës së jashtme amerikane


Administrata e Presidentit Bush po përballet me një sërë krizash të njëkohëshme në politikën e jashtëme – nga Lindja e Mesme, te Gadishulli Korean, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë një numër të madh trupash në Irak dhe Afganistan.

Disa ekspertë të politikës së jashtme thonë se Presidenti Bush ka tashmë pak hapësirë veprimi për t’u përballur me sfidat e reja globale. Nga luftimet e reja në Lindjen e mesme... tek keqësimi i gjendjes së sigurisë në Afganistan.....dhe vazhdimi i dhunës në Irak, administrata e Presidentit Bush është mbërthyer në një sërë krizash globale të njëpasnjëshme.

Ja ç’thotë Ken Pollak ekspert për Lindjen e Mesme pranë Institutit Brookings në Washington.

"Nuk ka dyshim se problemet e shumta të politikës jashtëme me të cilat po përballet administrata, duke i shtuar kësaj edhe vazhdimin e luftës në Irak dhe shqetësimet që ajo po krijon, po e kufizojnë hapësirën e manovrimit të Presidentit Bush." - thote eksperti.

Zoti Pollak dhe ekspertë të tjerë të politikës së jashtme thonë se administrata e Presidentit Bush përballet me një listë aq të gjatë problemesh botërore, sa që e ka humbur ndikimin që kishte dikur në politikën e jashtme.

Izraeli dhe grupi ekstremist Hezbollah në Liban po i shkallëzojnë sulmet e tyre. Irani nuk u është përgjigjur kërkesave për të pezulluar programin e tij bërthamor. Gjithashtu, në Afganistan, po përsëriten taktikat e kryengritësve në Irak me sulme vetvrasëse. Ndërkohë, lufta në Irak vazhdon të jetë e ashpër dhe disa ekspertë thonë se Shtetet e Bashkuara ka humbur një pjesë të mirë të mbështetjes ndërkombëtare në përpjekjet për të ndërtuar demokracinë në rajon. Ja ç’thotë Laurence Korb, ish Ndihmëssekretar i Mbrojtjes për presidentin Ronald Reagan:

"Doktrina Bush (e goditjes parandaluese) u provua në botën reale dhe nuk i qendroi provës. Është e pamundur që të ndërmarrësh luftra parandaluese kundër gjithë armiqve të tu." - thotë ai.

Disa ekspertë të politikës së jashtme thonë se vende të tillë, si Irani dhe Koreja e Veriut por përfitojnë nga ajo që ata e shohin si pozitë e dobët e Shteteve të Bashkuara. Danielle Pletka është Nënpresidente e Studimeve të Politikës së Jashtme në Institutin American Enterprise të Uashingtonit.

"Perceptimi i të tjerëve, sidomos i vendeve që kanë interesa të kundërta me tonat, është se ne jemi të zhytur thellë në Irak, se ne jemi të lodhur nga Iraku dhe se tani është momenti i duhur për të realizuar planet e tyre dhe për të venë në provë Amerikën." - thotë Petka.

Koreja e Veriut e vuri në provë Amerikën kohët e fundit, duke lëshuar shtatë raketa. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që i kërkon Phenianit të pezullojë programin e tij të raketave balistike. Megjithatë, ish zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Randall Shriver mendon se administrata nuk e ka përqendruar sa duhet vemendjen te diplomacia në Azi:

"Nuk është sekret të thuash se kur në Lindjen e Mesme vazhdon lufta dhe kur administrata përballet me sfida të tilla si këto të tanishmet, natyrisht që kjo kërkon kohë, vemendje dhe para. Por për mendimin tim është e domosdoshme që përparësia të jetë tek Azia." - thotë Shriver.

Zyrtarë të administratës thonë se Shtetet e Bashkuara janë në një pozitë diplomatike më të fortë tani se sa ishin gjatë mandatit të parë të Presidentit Bush. Ata thonë se janë të angazhuar në një diplomaci shumëpalëshe, më agresive se kurrë më parë.

Por shumica e ekspertëve të politikës së jashtme mendojnë se administrata ka sot aq shumë angazhime globale, sa që mund të mos jetë në gjendje të veprojë e vetme, në mënyrë të njëanshme siç ka bërë në të kaluarën.//lk

XS
SM
MD
LG