Lidhje

Irak: Ajatollahu al-Sistani bën thirrje për ndalimin e vrasjeve


Në Irak, kleriku më i lartë mysliman shi’it u bëri thirrje irakianëve të bashkohen dhe paralajmëroi se dhuna sektare mund ta shkatërrojë vendin.

Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani u bëri thirrje udhëheqësve politikë, fetarë, kryetarëve të fiseve e të tjerë, të bëjnë përpjekje maksimale për ndalimin e vrasjeve. Deklarata e Ajatollahut pason thirrje të ngjashme nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara për ndalimin e dhunës sektare.

Gjenerali amerikan Uilliam Kalduell tha sot se numri i sulmeve të përditshme në Bagdat është shtuar kohët e fundit, megjithë ndërmarrjen e një operacioni për sigurinë.

Qeveria irakiane njoftoi sot se rreth 30 mijë njerëz janë larguar për t’i shpëtuar dhunës gjatë muajit të fundit. Nga zhvillimet e tjera, Shtetet e Bashkuara thonë se ushtarë amerikanë dhe irakianë hynë në dy qytete në Irakun verior, në kërkim të personave të dyshuar si militantë të al-Kaidës. Ky operacion pason sulmet terroriste në rajon, gjatë të cilave u vranë 31 ushtarë irakianë.//lk

XS
SM
MD
LG