Zyrtarët serbë thanë se kryeministri Vojisllav Koshtunica do të shoqërojë presidentin Boris Tadiç në bisedimet e drejtpërdrejta me udhëheqësit shqiptar për të ardhmen e Kosovës.
Zëdhënësi i kryeministrit tha sot se presidenti së bashku me kryeministrin do të marrin pjesë në bisedimet e Vjenës të hënën pasi Kosova është një nga çështjet më të rëndësishme të Serbisë.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku do të përfaqësojnë shumicën shqiptare në bisedime.
Shqiptarët e Kosovës këmbëngulin për pavarësi dhe thonë se nuk do t'i nënshtrohen më regjimit serb.
Në fillim të javës, presidenti Tadiç paralajmëroi se dhënia e pavarësisë për Kosovën mund të krijojë një paqëndrueshmëri të re në Ballkan.
Beogradi e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës, e cila administrohet nga Kombet e Bashkuara.