Lidhje

Avionët izraelitë bombarduan disa pjesë të Libanit në ditën e 12 të luftimeve


Mbi 10 raketa të Hezbollahut goditën Izraelin verior, duke vrarë të paktën dy persona në qytetin port të Haifës. Trupat izraelite vazhdojnë operacionet brenda Libanit jugor ndërsa avionët luftarakë izraelitë vazhdojnë bombardimet.

Sirenat u dëgjuan përsëri në Izraelin verior. Kryetari i Bashkisë i Haifas Yona Yahav u bëri thirrje banorëve që të zbatonin paralajmërimet. “Lufta nuk ka përfunduar ende”, tha ai duke i nxitur banorët që të rrinë në zona të mbrojtura dhe të mos dalin jashtë.

Në Haifa, raketat goditën një godinë me apartamente dhe disa makina. Sirenat filluan të binin edhe në qytetin e Zichron Yaakovit, rreth 60 kilometra në jug të kufirit libanez. Trupat izraelite po veprojnë brenda Libanit Jugor, duke kryer aksione nëpër fshatra për të shkatërruar pozicionet e Hezbollahut dhe parandaluar sulmet me raketa. Avionët luftarakë izraelitë vazhduan bombardimet në gjithë Libanin duke u përqendruar veçanërisht në jug të vendit dhe në lagjet jugore të Beirutit. Beiruti jugor njihet si qendër e Hezbollahut, por është njëkohësisht edhe një zonë me popullsi të dendur civile.

Bashkërenduesi i Ndihmës Humanitare i OKB-së Jan Egeland shkoi në atë zonë dhe kritikoi ashpër bombardimin izraelit. “Do të thoja që më duket se ky është një përdorim i tepruar i forcës në një zonë me kaq shumë civilë, pra është një shkelje e ligjit humanitar”.

Zoti Egeland tha se agjencitë e ndihmave duhet të shpërndajnë ndihmë për 500 mijë deri në 1 milionë vetë në Liban dhe tha se Izraeli nuk i ka lejuar të hyjnë. Izraeli ka thënë se po përpiqet të mos dëmtojë civilët dhe fajëson Hezbollahun se po vepron nga brenda zonave civile.

Sipas zyrtarëve libanezë, mbi 360 vetë janë vrarë në Liban gjatë 12 ditëve dhunë, shumë prej të cilëve civilë, përfshirë edhe shumë fëmijë. Izraeli ka ndërmarrë operacione të kufizuara tokësore në Libanin jugor, por nuk ka përjashtuar mundësinë e një ofensive në shkallë të gjerë. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Amir Peretz tha se ato operacione do të vazhdonin. “Synimi është që të krijohen kushtet për një hapësirë sa më të gjerë për veprim diplomatik”. Zoti Peretz u takua me ministrin e jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe shprehu mbështetjen për një forcë ndërkombëtare, të drejtuar ndoshta nga NATO-ja për të marrë në dorë përkohësisht sigurinë në Libanin jugor dhe për të siguruar largimin e Hezbollahut dhe për të mos e lejuar më atë të veprojë në zonën e kufirit.

Përpjekjet diplomatike po intensifikohen dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice pritet të kryejë bisedime në Izrael nesër. //rd//

XS
SM
MD
LG