Lidhje

Surroi: Pala serbe ende nuk e ka kuptuar se ka kaluar koha kur Beogradi pyetej për sovranitetin e Kosovës


Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, ky ishte takimi i parë ku çështja e pavarësisë u bë zyrtarisht pjesë e bisedimeve të statusit. Cila është përshtypja juaj nga takimi? Cila ishte fryma e përgjithshme që mbizotëroi në të?

Veton Surroi: Ajo që duhej pritur u paraqit, pra që kemi dallime të thella, që pala serbe nuk bërë ndonjë evolucion dhe u paraqit me qëndrim rreth autonomisë, që as ia vlen të bisedohet për të. Ne paraqitëm qëndrimet tona dhe u përpoqëm të shpjegojmë, secili nga këndi i vet, se përse, Kosovës i nevojitet pavarësia dhe përse ky është një proces në të cilin do kyçur dhe do ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Cili ishte qëndrimi i palës serbe pasi u njoh me qëndrimin tuaj?

Veton Surroi: Ishte një qëndrim i pritshëm, ndonëse i gjerë dhe i gjatë në ragim, si nga ana e Kryeministrit ashtu edhe e Presidentit të Serbisë dhe e anëtarëve të tjerë të delegacionit të cilët mohonin në baza juridike dhe baza të tjera, të drejtën e Kosovës për pavarësi.

Zeri i Amerikes: Zoti Surroi, ndonëse nuk pritej ndonjë marrëveshje, pas takimit të së hënës, a ju duket më e mundshme zgjidhja e statusit me negociata?

Veton Surroi: Ne duhet të vazhdojmë rrugën e negociatave për shkak se kjo është një rrugë e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare. Përderisa negociatat vazhdojne, në fakt ne jemi në masë të madhe duke bërë negociata me bashkësinë ndërkombëtare për atë që bahskësia ndërkombëtare mendon se janë të nevojshme në Kosovë, si nga aspekti i pranisë ushtarake e civile, ashtu edhe nga aspekti i mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve.

Zëri i Amerikës: A u hodhën alternativa të tjera, si për shembull ajo e ndarjes së Kosovës? A u përmend çështja e Mitrovicës?

Veton Surroi: Unë e ngrita çështjen e Mitrovicës si çështje të një konflikti të papërfunduar, sikundër edhe çështjen e të zhdukurve si një çështje e cila e mundon tërë vendin, tërë shoqërinë kosovare. Këto janë çështje të cilat do të dalin në pah gjatë muajit gusht kur do të intensifikohet procesi i negociatave.

Zëri i Amerikës: A jeni ju sot më optimist, apo më pesimist për vështirësinë, ose lehtësinë e zgjidhjes së çështjes së statusit?

Veton Surroi: Nuk ndihem as më pesimist dhe as më optimist. Më duket se kemi hyrë në një shpejtësi të re dhe kam besim se kjo shpejtësi do të intensifikojë edhe përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, natyrisht edhe bindjen e bashkesisë ndërkombëtare se zgjidhjen duhet ta arrihet më shpejt dhe jo të zvarritet.

Zëri i Amerikës: Fundi i këtij viti është caktuar edhe si afat jo-zyrtar për përfumdimin e negociatave. A është sot realiste të mendohet se ky afat do të respektohet?

Veton Surroi: Unë mendoj se po, meqë kemi të bëjmë me një proces negociator, i cili siç thashë po hyn në një shpejtësi, ka kaluar në një fazë tjetër, në atë të statusit. Zoti Ahtisari dhe ekipi i tij, ka marrë autorizim nga ana e Grupit të Kontaktit që të fillojnë të përgatisin materialet e duhura, kështu që ne, në javët që vijnë, do të hyjmë në një fazë ku negociatat nuk do të jenë më paraqitje qëndrimesh, por do të jenë negociata reale ku duhet dhënë-e-marrë, në kontekstin e bisedimeve teknike, por do të vijë koha shumë shpejt gjatë shtatorit, kur do të përqëndrohemi tek paketa që do të përgatisë zoti Ahtisari.

Zëri i Amerikës: A pritet takim tjetër për negociatat për statusin politik të Kosovës?

Veton Surroi: Absolutisht. Tërë gushtin do ta kemi të mbushur me takime të ndryshme. Zoti Ahtisari ka bërë të ditur që po të ketë ngecje në aspektin e ashtuquajtur teknik, atëhere do të ketë ftesë urgjente për takim në nivel të ashtuquajtur, “të elefantëve”.

Zëri i Amerikës: Shpesh vëzhgues të ndryshëm kanë thënë se zgjidhja me negociata është e vështirë dhe se Këshilli i Sigurimit duhet të imponojë një zgjidhje. Si e shikoni ju, bazuar me sa dini deri tani, a është e mundur që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje për statusin përfundimtar?

Veton Surroi: Unë nuk besoj në bazë të asaj që po shoh, që pala serbe të jetë e gatshme të kuptojë se ka kaluar koha kur Beogradi pyetej për sovranitetin e Kosovës. Në muajt e ardhshëm kjo do të jetë sfida kryesore.

Zëri i Amerikës: Pra varianti i zgjidhjes së imponuar sipas mendimit tuaj, vazhdon të mbetet një alternativë e fortë, në se do të shpreheshim kështu?

Veton Surroi: Shumë më e fortë se ç’ka qënë.

XS
SM
MD
LG