Lidhje

Presidenti Moisiu kritikon partitë që kanë bllokuar reformën elektorale


Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu tha sot se vendi nuk mund të hyjë në votime me kodin dhe infrastrukturën aktuale zgjedhore. Kreu i shtetit ka kritikuar partitë që kanë bllokuar reformën elektorale dhe nuk po japin shenja të vullnetit politik për të dialoguar. Ai kërkoi nga shumica në pushtet që të ofrojë atë ç'ka ajo vetë kërkonte kur ishte në opozitë. Ndërsa për të majtët ai bëri thirrje që të mos lejojnë bojkotimin e procesit.

Në dhjetor të vitit të shkuar presidenti Moisiu thirri në një tryezë të gjitha partitë politike të cilat u angazhuan për të nisur me shpejtësi reformën zgjedhore. Por që nga ai moment marrëdhëniet pozitë-opozitë kanë qenë tejet të acaruara. Me shumë vështirësi u arrit ngritja e komisionit parlamentar të reformës. Por edhe ai mundi të funksionojë vetëm pak kohë duke u bllokuar nga mosmarrëveshjet.

Duke njohur këtë situatë presidenti tha sot se vendi s’mund të hyjë në zgjedhje me kodin dhe infrastrukturën aktuale zgjedhore: “Gjërat kanë ecur ngadalë për të mos thënë se kanë mbetur në vend dhe frytet e reformës nuk po duken. Partitë politike, me mosveprimin e tyre kanë bllokuar Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asnjëra palë nuk po jep shenja të vullnetit politik për të dialoguar dhe ofruar një zgjidhje të kësaj krize. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë aktorët e politikës: me këtë Kod Zgjedhor dhe infrastrukturë zgjedhore që nuk merr parasysh rekomandimet e ODHIR dhe OSBE-së nuk mund të shkojmë në zgjedhje”.

Kreu i shtetit ju drejtua të dy krahëve të politikës që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre: “Mazhoranca ka përgjegjësi që të përmbushë në kohë dhe me seriozitetin e duhur të gjitha kërkesat e shprehura në rekomandimet e Misionit të ODHIR-it, tryezën e partive politike dhe në debatin institucional e publik. Asaj i takon të krijojë klimën e besimit të nevojshëm tek opozita dhe qytetarët për një proces të rregullt dhe demokratik elektoral. Ajo duhet tu krijojë atyre të paktën aq sa ka kërkuar vetë kur ishte në opozitë” .

Jashtë përgjegjëisë nuk mbetet as opozita e cila siç tha presidenti Moisiu duhet të ndihmojë në zhbllokimin dhe ecurinë e punës së komisionit të reformës: “Ajo lipset të bëjë përpjekje për të mos lejuar që konfliktet dhe mosmarrëveshjet teknike apo politike të çojnë në bllokimin e procesit të reformës, dhe aq më tepër, dhe aq më keq në bojkotimin e tij”. Presidenti ka kërkuar që zgjidhjet e mosmarrëveshjeve të mos lihen në momentet e fundit sic ka ndodhur rëndom e që kanë sjellë kompromise të pjesshme dhe mundësi për abuzime politike. Sipas tij nevojitet të gjendet konsensus nga parlamenti edhe për datën e zgjedhjeve ndërsa ka premtuar se menjëherë sapo deputetët të zgjedhin anëtarin e KQZ edhe ai do të emërojë edhe anëtarin tjetër që është kompetencë e tij. Kreu i shtetit është ndalur dhe në një problem kyç të reformës e për të cilën ka mosmarrëveshje të thella mes të djathtëve dhe opozitës, siç është lista e zgjedhësve të cilat siç u shpreh ai duhet të jenë të pranueshme nga të gjithë dhe të qëndrueshme në kohë.

XS
SM
MD
LG