Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave rekomandon që Kosova, si shtet i ardhshëm, duhet të ketë ushtrinë e saj


Në një raport të ri të botuar sot Grupi Ndërkombëtar i Krizave rekomandon që Kosova, si shtet i ardhshëm, duhet të ketë ushtrinë e saj, që gjatë viteve të para të jetë nën mbikqyrje të rreptë nga aleanca e Natos, dhe të ketë kufizime si përsa i përket numrit ashtu edhe aftësisë.

Komuniteti ndërkombëtar, thotë Grupi i Krizave, po i afrohet vendimit për krijimin e shtetit të Kosovës, por planifikimi për çështjet e sigurimit ka mbetur pas. Shteti i ri i Kosovës, thuhet në raport, do të ketë nevojë për institucionet e përshtatshme për të siguruar zbatimin e ligjit dhe paprekshmërinë e kufijve dhe për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmin.

Elementët e rëndësishëm që nevojiten për një shtet të qëndrueshëm thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave nuk duhen sakrifikuar për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ushtri, thuhet më tej në raport, mund të bazohet në elementë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Grupi i krizave thotë se strukturat e tanishme zyrtare të sigurimi duhet të vendosen nën kontrollin e institucioneve të reja demokratike, ndërsa strukturat e tjera jo-zyrtare, që kanë mbetur që nga koha e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ose grupe të krimit të organizuar duhet të eliminohen.

Pakicat në Kosovë, veçanërisht ajo serbe, duhet të ndjehen të mbrojtura dhe jo të kërcënuar nga strukturat e sigurimit. Aleanca e Natos duhet të qëndrojë në Kosovë për një kohë të gjatë, për të garantuar sigurinë e jashtme dhe për të ndihmuar në stabilitetin e brendshëm.

Ushtria e ardhshme e Kosovës, thuhet në raport, duhet të jetë e vogël, e pajisur lehtë, shumë etnike dhe të ketë një përbërje prej 2 mijë deri 3 mijë forcash.

XS
SM
MD
LG