Lidhje

Historia e brishtë e Libanit


Luftimet e ashpra mes trupave izraelite dhe gueriljeve Hezbollah kanë çuar në shkatërrime masive në disa pjesë të Libanit. Ato kanë ringjallur gjithashtu kujtimet e hidhura të luftës civile në Liban si dhe të ndërhyrjeve të mëparshme të fuqive rajonale në një vend i cili në periudha të caktuara të historisë ka qenë një margaritar i begatisë ekonomike në Lindjen e Mesme.

Megjithë ato që i kanë ndodhur në jetën personale, Joseph Cicippio e do Libanin, sidomos Bejrutin. Ai ka qenë dikur ish zyrtar i financave në Universitetin Amerikan të Bejrutit dhe kanë rrëmbyer e mbajtur peng për pesë vjet me radhë.

Cicippio ishte në kryeqytetin libanez më 12 korrik, kur gueriljet Hezbollah kapën dy ushtarë izraelitë, i cilident që u bë shkas për fillimin e krizës së tanishme. Cicippio thotë se ditën përpara se të ndodhnin rrëmbimet Bejruti ishte plot gjallëri. RRugët, restorantet dhe hotelet ishin plot me njerëz të gëzuar dhe e ardhmja dukej e ndritur. Por, thotë Cicippio, pas rrëmbimit të ushtarëve dhe reagimit të menjëhershëm të Izraelit me bombardime mbi Bejrut dhe kudo në vend, gjithaçka ndryshoi. "Hotelet u boshatisën, në rrugë nuk kishte më makina, dyqanet e umbyllën po ashtuj edhe restorantet. Dilje në rrugë dhe nuk të zinte syri anjeri. Dukej sikur brenda natës gjithçka kishte vdekur. Ishte një ndjenjë e tmerrshme."

Gjatë gjithë historisë së tij Libani ka njohur periudha begatie të ndërprera nga periudha dhune dhe luftrash. Bejruti është i famshëm për bulevardet e tij të gjatë dhe për arkitekturën e stilit francez. Ai ka qenë quajtur Parisi i Lindjes së Mesme. Para shpërthimit të luftës civile në vitin 1975, Libani si vend njihej si Zvicra e Lindjes së Mesme dhe gëzonte statusin e një vendi pa konflikte, njëlloj si Kosta Rika në Amerikën Qendrore. Por fara e konfliktit tashmë ishte mbjellë.

Pas luftës arabo-zraelite të vitit 1948, qindra mijra refugjatë palestinezë vërshuan në Liban. Drejtuese e aktiviteteve të tyre ushtarake ishte Organizata për Çlirimin e Palestinës e Jaser Arafatit.

Në vitet 70, filluan luftimet mes një koalicioni refugjatësh palestinezë si dhe milicive myslimane dhe druze me forcat e rezistencës kryesisht të krishtera. Siria ndërhyri, duke dërguar dhjetra mijë trupa në Liban ndërsa Izraeli ndërmori operacione pushtimi në vitin 1978 dhe përsëri në vitin 1982 në përpjekje për të ndalur sulmet nga përtej kufirit kundër civilëve izraelitë.

Vlerësohet se më tepër se 100 mijë libanezë u vranë gjatë kësaj periudhe dhe se shumë njerëz u larguan nga vendi, ekonomia e të cilit ishte rrënuar. Paul Salem, shkrimtar dhe analist politik me banim në Liban, thotë se ndonëse luftimet e tanishme të kujtojnë gjëra të ngjashme nga e kaluara, në rajon kanë ndodhur shumë ndryshime. "Një numër gjërash kanë pësuar ndryshime dramatike. Ne jetojmë në një botë të pas 11 shtatorit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në Irak. Marrëdhëniet amerikano-siriane nuk ekzistojnë më. Procesi i paqes ka marrë fund. Konfliktet mes sunive dhe shiitëve në rajon janë në kulmin e tyre. Pra incidentet nuk janë aspak të reja por konteksti është i ri dhe më i rrezikshëm se më parë."

Në vitin 2000 Izraeli u tërhoq nga zona e vetshpallur e sigurimit në Libanin e jugut ndërsa vitin e kaluar Siria tërhoqi trupat pas akuzave se kishte lidhje me vrasjen e ish kryeministrit Rafik Hariri. Para krizës së tanishme, ekonomia e Libanit po përmirësohej me shpejtësi, e ndihmuar nga një sistem bankar i shëndoshë, nga kompanitë e prodhimit të mesme dhe të vogla si dhe nga ndihmat ndërkombëtare.

Presidenti i Institutit Arabo-Amerikan, James Zogby, thotë se mësimi që duhet të nxjerrin të gjitha palët është se lufta nuk i zgjidh problemet as në Liban e as në Lindjen e Mesme. "Zgjidhja është që të gjitha palët – arabët, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ta pranojnë se fitore ushtarake nuk do të ketë, nuk do të ketë zgjidhje ushtarake të këtij problemi që në thelb është politik. Këtë duhet ta kishim kuptuar dekada më parë por të paktën ta kuptojmë tani. Këto janë probleme politike që duhen zgjidhur politikisht."

Pra gjatë dekadave të fundit, Libani ka përjetuar periudha stabiliteti politik dhe begatie ekonomike, të karakterizuara nga momente të rëndësishme trazirash. Kur luftimet e tanishme mes Izraelit dhe Hezbollahut të jenë ndalur, populli libanez do të përballet përsëri me detyrën e vështirë dhe të gjatë të rindërtimit të vendit me shpresën për një të ardhme më paqësore.

XS
SM
MD
LG