Lidhje

60 vjetori i programit Fullbright


Programi prestigjioz amerikan, Fullbright i cili financon shkëmbime botërore në fushën e arsimimit, mbushi këto ditë 60 vjet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andrew Baroch, shtimi kohët e fundit i kërkesave për bursa nga studentët amerikanë, tregon se misioni i këtij programi vazhdon të gëzojë një mbështetje të madhe në shkallë kombëtare.

60 vjet pasi presidenti amerikan Harry Truman nënshkroi ligjin për krijimin e programit Fullbright, një numër rekord amerikanësh po aplikojnë për t’u pranuar në të. Thomas Farrell është zëvendësndihmës për programet akademike në Departamentin amerikan të Shtetit, që e drejton programin Fullbright. "Tani, ne kemi arritur në pikën më të lartë përsa i përket numrit të studentëve amerikanë, si për nga aplikimet për bursa Fullbright, edhe përsa i përket numrit të madh të bursave në historinë e këtij programi. Pra, kemi arritur thuajse shifrën e 1 mijë e 200 bursave në vit. Nivele të tilla ne nuk kemi arritur nodnjëherë, edhe në fillimet e këtij programi, në vitin 1954", - thotë zoti Farrell.

Programi Fullbright u krijua nga senatori amerikan William Fullbright në vitin 1946, ai është një program jo-politik dhe shmang mosmarrëveshjet mes qeverive, duke u përkushtuar, përkundrazi, ndaj së ashtuquajturës diplomaci njerëzore, e cila synon nxitjen e respektit dhe mirëkuptimit reciprok. Ky program gëzon një besueshmëri të jashtëzakonshme në mbarë botën, edhe pse mbështetet nga disa individë në Shtetet e Bashkuara, si dhe nga 60-70 vende të tjera që japin kontributin e tyre, si vende partnere. Ky program ka një status të tillë, që mund të quhet vërtet jo-partiak.

Programi Fullbright siguron një shumë prej rreth 250 mijë dollarësh në vit për grante në fushën arsimit, për studentët dhe studjuesit amerikanë, të cilët studjojnë dhe japin mësim në vende të ndryshme të botës, si dhe grante të ngjashme për homlogët e tyre jashtë vendit, që të bëjnë të njëjtën gjë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Thomas Farrell thotë se "fullbright"-istët amerikane, siç quhen, ata, zakonisht janë të mirëpritur kudo që shkojnë, prë të dhënë mësim, ose për të kryer studime. Shkëmbimi i studentëve dhe profesorëve pritet mjaft mirë në universitetet dhe në ambjente të tjera të huaja. Por unë nuk them se një amerikan nuk përjeton probleme kur shkon në vende të tjera të botës. Natyrisht, që do të ketë debate dhe diskutime, sepse kemi të bëjmë me studentë universiteti. Por në përgjithësi, kur dikush shpreh dëshirën për të mësuar për një shoqëri tjetër, natyrisht që edhe tregon një respekt që gjeneron një lloj pranimi dhe mikprirjeje që asnjë lloj forme tjetër nuk mund ta arrijë.

Vitin e kaluar, 26-vjeçari Nivolas Block nga shteti i Vermontit siguroi një bursë Fullbright për të marrë fotografi në Rigë të Letonisë, të një numri të madh stilesh arkitekturale, që nga ai Gotik i periudhës romake të Mesjetës, e deri tek ndërtesat moderne të zyrave. Block ka në plan të hapë një ekspozitë me fotografitë e tij. Ai thotë se banorët e Rigës shpesh i afrohen tipodit të tij dhe e pyesin se nga është. "Unë u them atyre se jam nga Shtetet e Bashkuara dhe pastaj zakonisht, flasim për politikën e jashtme për disa minuta. Një natë, takova një ushtar letonez që kishte qenë në Irak. Kishte një qëndrim shumë pozitiv për luftën, por disa të tjerë kishin mendime të ndryshme"... thotë Block.

Një tjetër fullbrightist, Abel Adekola, profesor biznesi në Universitetin e Wisconsinit, kohët e fundit siguroi një bursë për të dhënë mësim në Vilnius të Lituanisë, se si mund të fillosh biznesin tënd privat. Por Adekola nuk do të mbajë mend kursin e bisnezit nga ai vend. Ai do të mbajë mend pikërisht përshtypjen që ka ai krijuar mes njerëzve,- për Amerikën, si një simbol i vendit të mundësive dhe i diversitetit. Ky profesor i biznesit nga një univesitet prestigjioz la përshtypjes të veçantë në Vilnius, ngaqë ai është zezak, i lindur në Lagos të Nigerisë. "Dikush erdhi dhe më tha: Ju jeni vërtet të rrallë. Ne nuk kemi njerëz si ju këtu". Punonjësit e Universitetit ku ai dha mësim, kur mbaroi, organizuan një mbrëmje lamtumire për të. "Të gjithë më thanë: Nga ty ne mësuam shumë. Nuk mund ta shpjegojmë, se sa shumë mësuam”. Besoj se kishin fjalën pjesërisht edhe për racën time. Unë munda të bëhem pjesë e tyre dhe raca nuk ndikoi negativisht në afrimin me njerëzit," - kujton Adekola.

Gjatë 6 dekadave të fundit, rreth 250 mijë individë nga rreth 150 vende të botës kanë qenë fullbrajtistë, në zbatim të misionit afatgjatë që edhe sot është thelbësor për programin prestigjioz Fullbright: kapërcimi i barrierave kulturore dhe nxitja e respektit dhe e mirëkuptimit reciprok.

XS
SM
MD
LG