Lidhje

Anëtarët e rinj të Komisionit Zgjedhor bëjnë betimin para presidentit Moisiu


Në Shqipëri tre anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të emëruar ditët e fundit bënë sot betimin përpara presidentit Alfred Moisiu. Kreu i shtetit tha gjatë ceremonisë se anëtarët e Komisionit pavarësisht nga mënyra se si zgjidhen duhet të kenë parasysh vetëm zbatimin e kushtetutës dhe ligjit. Anëtarët e rinj Flamur Çato, Arben Ristani dhe Fatmir Kumbaro u emëruan nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nga parlamenti dhe nga Presidenti.

Sot pas tre muajsh me mungesa Komisioni Qendror zhvilloi mbledhjen e tij të parë me të shtatë anëtarët e vet. Kryetari i komanduar Klement Zguri tha se situatat e vecanta politike apo dhe fakti që propozimet bëhen nga partitë nuk duhet të ndikojë në gjykimin dhe vendimarrjen e Komisionit. Javën e ardhshme do të zgjidhet dhe kryetari i ri. Zgjedhja e anëtarit Ristani nga parlamenti, me propozim të së djathtës, krijoi javën e shkuar përplasje të forta në sallë , për shkak se opozita e majtë ishte përgatitur që ai vend në komision i takonte asaj.

XS
SM
MD
LG