Lidhje

Libani ka përsëri nevojë për një forcë paqeruajtëse


Gjatë gjithë historisë së viteve të fundit, Libani është goditur nga dhuna dhe lufta. Në vitin 1978, pas vitesh me tension përgjatë kufirit të vendit me Izraelin, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara autorizoi krijimin e një force shumëkombëshe për të ndihmuar në vendosjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Tani Libani ka përsëri nevojë për një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare efektive.

Bombat izraelite ndezin qiellin e natës në Beirut. Dëmet dhe pasojat në njerëz do të bëhen të dukshme kur të zbardhë dita.

Në Izrael, raketat e Hezbollahut godasin edhe më në thellësi duke shkatërruar objekte dhe duke shtuar viktimat mes civilëve.

Shkëmbimi i zjarrit shoqërohet nga lufta e fjalëve. Udhëheqësi i Hezbollahut Sheikh Hassan Nasrallah kërcënon se do të godasë Tel Avivin nëse Izraeli nuk ndalon sulmet ndaj Beirutit qendror. Kryeministri izraelit Ehud Olmert zotohet të vazhdojë të godasë Hezbollahun deri sa të dislokohet një forcë ndërkombëtare.

Ndërkohë, diplomatët kërkojnë një zgjidhje të konfliktit. Ambasadori amerikan në OKB Bolton thotë se trupat amerikane nuk do të jenë pjesë e një force të tillë.

"Për asnjë moment nuk e kemi diskutuar një gjë të tillë, nuk është në planet tona”.

Në vitin 1978, Kombet e Bashkuara krijuan një forcë të përkohëshme në Libanon të njohur si UNIFIL. Kreu aktual i Komandës Qendrore amerikane, gjenerali John Abizaid shërbeu në atë forcë në vitet 1980. Ai tha para disa ditësh në një seancë në senatin amerikan se forca e OKB-së nuk ishte në gjendje të përmbushte misionin për të rivendosur paqen dhe sigurinë në Liban. Gjenerali Abizaid tha se një forcë e jashtme sot do të ketë nevojë për ato, që ai i quajti “rregulla të rrepta angazhimi”.

“Do të thotë që komandanti të ketë aftësinë ta shfrytëzojë mandatin që i është dhënë nga komuniteti ndërkombëtar në mënyrë që të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion të forcës së tij. Dhe mendoj se në rastin e Libanit të jugut, forcës ndërkombëtare do t’i duhet të ketë aftësinë që të përfshijë përdorimin e të gjitha armëve”.

Gjenerali Abizaid tha se është e rëndësishme për forcat e armatosura të Libanit që të kenë aftësi më të mëdha ushtarake se Hezbollahu, i cili ka pasur nën kontroll pjesën jugore të vendit. Gjenerali tha se një forcë ndërkombëtare mund ta ndihmonte ushtrinë libaneze që ta rimerrte sovranitetin në jug të vendit. Ai vuri në dukje gjithsesi se diplomatët do të jenë ata që do të vendosin për nivelin e angazhimit ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG