Lidhje

Publiku amerikan është i ndarë për konfliktin e fundit në Lindjen e Mesme


Përpjekjet diplomatike po intensifikohen ndërsa avionët izraelitë vazhduan të trondisin Libanin e Jugut. Shtetet e Bashkuara thonë se po punojnë nga afër me udhëheqësit evropianë dhe Këshillin e Sigurimit për të ndalur luftimet por këmbëngulin se armëpushimi i menjëhershëm nuk do garantojë një paqe të qëndrueshme. Ndërkohë opinioni publik amerikan duket i ndarë në mënyrën e përfundimit të konfliktit katër javor.

Luftimet midis Hezbollahut dhe Izraelit vazhdojnë njësoj përgjatë kufirit jugor të Libanit.

Por gjetja e një mënyre për t’i dhënë fund konfliktit që ka vrarë më shumë se 900 vetë në Liban dhe të paktën 68 në Izrael, ka ndarë shumë vende të komunitetit ndërkombëtar. Disa vende evropiane dhe arabe kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm. Megjithëse administrata e presidentit Bush është dakort që luftimet duhet të ndalojnë, thotë se çdo marrëveshje për një armëpushim duhet të përfshijë zgjidhjen afatgjatë.

Në parkun kombëtar këtu në Washington DC, nga intervistat me disa kalimtarë gjen pikëpamje të ndryshme.

“Lufta është gjithmonë e keqe dhe sa herë që ne mund të negociojmë paqen është gjë e mirë. Po, armëpushimi do të ishte mirë”.

“Tani për tani duhet ta lejojmë Izraelin të shkatërrojë Hezbollahun që kërcënon qytetarët izraelitë. Kur ta arrijnë këtë, duhet të vendoset armëpushimi midis të dyja palëve. Por jo më parë. Duhet që Izraeli të eleminojë kërcënimin ndaj vendit të tij”.

Por një anketë telefonike e administruar nga grupi më i madh islamik për liritë civile këtu në Shtetet e Bashkuara thotë se shumica e amerikanëve kërkojnë që luftimeve t’u jepet fund. Këshilli për Marrëdhënie Amerikano-Islamike thotë se gati 54 përqind e amerikëve besojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm. Nihad Awad është drejtori ekzekutiv i grupit.

“Opinioni publik amerikan është për një armëpushim, duhet të vendoset një armëpushim i menjëhershëm tani jo vetëm për të lejuar ndihmat humanitare në rajonin e trazuar por për të punuar gjithashtu drejt një rezolute të drejtë të konfliktit 50 vjeçar”.

Një anketë e ngjashme e rrjetit CNN tregon se vetëm 44 përqind e amerikanëve besojnë se Izraeli duhet të bjerë dakort për një armëpushim të menjëhershëm.

Mohammed Nimer, drejtori i kërkimeve të këshillit shpreon se anketat do të inkurajojnë më shumë diskutime.

“Ka shumë vend për debat mbi politikën amerikane në Lindjen e Mesme ky është pikërisht përfundimi i arritur nga anketat e opinionit publik”.

Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice thotë se Këshilli i Sigurimit të OKBsë është pranë arritjes së një marrëveshje mbi termat e një armëpushimi të përhershëm por shton se paqje afatgjatë në rajon do të kërkojë ndihmën e një force paqeruajtëse ndërkombëtare për të çarmatosur militantët hezbollah.

XS
SM
MD
LG