Lidhje

Limaj: Beogradi nuk përqendrohet tek problemet me interes jetik për serbët e Kosovës


Zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë mbajtën në Vjenë një raund tjetër bisedimesh për të ardhmen e Kosovës, por ndërmjetësit e Kombeve të Bashkuara, nuk njoftuan për ndonjë shenjë përparimi. Delegacioni shqiptar paraqiti një sërë propozimesh për përpjekjet për të garantuar të drejtat e pakicave. Delegacioni serb i cilësoi propozimet si një katalog qëllimesh të mira, por thanë se duke pasur parasysh gjendjen aktuale në Kosovë, propozimet nuk do të zbatoheshin dot brenda dy dekadave të ardhshme.Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po e bojkotojnë takimin e sotëm, pasi nuk e pranojnë cilësimin si pakicë duke këmbëngulur se nuk mund të konsiderohen pakicë në vendin e tyre. Anëtari i delegacionit shqiptar në Vienë Fatmir Limaj tha pas takimit se propozimet e palës shqiptare ishin shumë të mira për interesat e pakicave. Ai shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në bisedime dhe i ftoi ata që të përfshihen në vendim-marrjen për interesat e tyre dhe t’i mbrojnë këto interesa në institucionet e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, ky ishte takimi i parë mes Beogradit dhe Prishtinës që ka në qendër pakicat. Çfarë forme kishte takimi i sotëm? Me çfarë propozimesh doli pala shqiptare?

Fatmir Limaj: Vërtet ky ishte takimi i parë që ka të bëjë drejpërdrejt me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, por unë them që duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj teme, pothuaj të gjitha temat e tjera që janë diskutuar deri tani janë të lidhura drejtpërdrejt me temën e të drejtave të komuniteteve. Delegacioni i Kosovës ka punuar për një kohë të gjatë pothuaj 8-9 muaj me përgatitjen e një ofertë serioze që do t’i paraqitej edhe delegacionit serb, njëkohësisht edhe UNOSEK-ut, ose komunitetit ndërkombëtar. Dhe ne kemi ardhur me një ofertë serioze ku trajtohen shqetësimet dhe në anën tjetër edhe interesat e të gjitha komuniteteve dhe posaçërisht komunitetit serb dhe këtë ofertë ia kemi prezantuar komunitetit ndërkombëtar dhe përmes tyre edhe delegacionit të Beogradit.

Zëri i Amerikës: Cili ishte reagimi i palës së Beogradit ndaj propozimeve tuaja?

Fatmir Limaj: Fatkeqësisht Beogradi në këtë temë nuk ishte fleksibël, vazhdonte me qëndrimet e tyre të njohura edhe më parë, siç e thatë edhe ju, ata përqendrohen në atë që serbët në Kosovë nuk mund të quhen si minoritet dhe përkundrazi janë shqiptarët ata që janë minoritet në Serbi dhe në kuadër të kësaj çështjeje mund të diskutohen tema të cilat lidhen drejpërdrejt me minoritetet. Domethënë, fatkeqësisht delegacioni serb mban qëndrimin e njohur deri tani që ende vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë dhe shqiptarët si pjesë e saj, prandaj mund të them se në këtë drejtim qëndrimet kanë qenë diametralisht të kundërta, ose më mirë të themi ata nuk kishin asnjë ofertë ose kërkesë të veçantë por faktikisht prezantuan qëndrimin e tyre të njohur deri tani, ndërsa ne vazhduam të prezantojmë pikat ashtu siç ishin paraparë në axhendë.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, cilat ishin këto pika që ju propozuat?

Fatmir Limaj: Pa dyshim ne iu përmabjtëm axhendës së UNOSEK-ut, domethënë biseduam për përfaqësimin e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, pastaj pjesëmarrjen e tyre në qeveri, në sistemin gjyqësor, në arsim dhe po ashtu në ndërtimin e mekanizmave vitalë për mbrojtjen e interesave të komuniteteve, domethënë këto kanë qenë pikat kryesore me të cilat ne sot e kemi shpalosur ofertën tonë para komunitetit ndërkombëtar dhe delegacionit serb.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, kur diskutohet për statusin e Kosovës, çështja e të drejtave të pakicave ka qenë jetike. Pala shqiptare thotë se oferta e saj parashikon standarde të larta për mbrojtjen e tyre. Duke patur parasysh shqetësimet në këtë drejtim, sidomos kritikat për mungesat e sigurisë për komunitetin serb, çfarë garancish mund të jepni ju se ato që premtoni do të zbatohen?

Fatmir Limaj: Pa dyshim që shqetësimet që janë ngritur për komunitetin serb në Kosovë janë legjitime dhe përpjekjet tona janë që këto të trajtohen shumë seriozisht dhe oferta që kemi paraqitur ne i garanton të gjitha mekanizmat të cilat do t’i marrin në mbrojtje dhe praktikisht Kosovën do ta kthejmë në një vend demokratik ku të gjitha komunitetet do të kenë hapësira të mjaftueshme dhe instrumentat e saj do të garantojnë interesat e tyre legjitime. Mendoj që çështja e parë është që serbët duhet të involvohen tërësisht në procesin e ndërtimit të kësaj kornize ligjore, e kam fjalën për serbët lokalë. Është shumë e rëndësishme të thellohet dialogu mes serbëve lokalë të Kosovës dhe institucioneve kosovare që ata të integrohen drejtpërdrejt në institucione dhe atje t’i mbrojnë interesat e tyre. Mendoj se garant më i fortë për këtë është vetë komuniteti ndërkombëtar i cili duhet të garantojë marrëveshjen e cila do të implementohet pas përmbylljes së bisedimeve për statusin final. Por tepër e rëndësishme vetë serbët lokalë të vazhdojnë involvimin e tyre dhe të thellohet dialogu brenda për brenda Kosovës. Këtu u pa qartë që delegacioni i Beogradit nuk është i koncentruar në çështjet jetike dhe praktike me të cilat ballafaqohen qytetarët serbë në Kosovë, ata më tepër vazhdojnë të mbesin peng e çështjeve politike siç është përfundimi i statusit final të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Limaj, pikërisht duke mbetur tek roli që duhet të kenë vetë serbët e Kosovës për të ardhmen e tyre, sa ndikon fakti që ata nuk patën përfaqësues në një takim të tillë si ky i sotmi, në ecurinë e këtij procesi?

Fatmir Limaj: Ndoshta nuk më takon mua të komentoj zhvillimet në korpusin serb, por ne shprehim keqardhjen që serbët nga Kosova nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme që ata të futen në kuadër të delegacionit të Beogradit për të ardhur dhe paraqitur qëndrimet e tyre. Një pjesë e tyre është e vërtetë që ka hequr dorë dhe nuk ka pranuar të flasë për këtë temë, por unë e di se ne kemi vazhduar dialogun tonë në Kosovë dhe ka pasur përfaqësues të serbëve që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në diskutimet për të ardhmen, për një zgjidhje të pranueshme që do të kornizonte të drejtat e tyre në kuadër të sistemit të ri juridiko-politik të vendit. Shpresojmë që në të ardhmen Beogradi do të influencojë në drejtim poztiv që serbët të involvohen në këtë proces dhe jo t’i ngushtohet hapësira që ata të thonë fjalën e tyre.

Zëri i Amerikës: Pjesëmarrja juaj në delegacionin e sotëm është paraqitja juaj e parë politike e rëndësishme që kur Gjykata e Hagës ju shpalli të pafajshëm. Çfarë planesh keni për të ardhmen?

Fatmir Limaj: Unë do të vazhdoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës si nënkryetar i saj politik dhe njëkohësisht ashtu siç kam qenë i angazhuar në procesin e bisedimeve për Kosovën dhe tani drejtpërdrejt do të vazhdoj angazhimet e mia së bashku me delegacionin e Kosovës dhe elitën politike kosovare për të kontribuar në pikat e ndjeshme, të japim opinionet tona dhe qëndrimet tona që ta përmbyllim me sukses statusin final ashtu siç presin qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG