Lidhje

BE i bën thirrje Bjellorusisë të lirojë udhëheqësin e opozitës


Bashkimi Evropian kërkoi përsëri që Bjellorusia të lirojë menjëherë udhëheqësin e burgosur të opozitës Alexander Kozulin dhe 4 vëzhgues të tjerë zgjedhjesh, të cilët u dënuan me burgim javën e kaluar.

Bashkimi Evropian vinte në dukje përmes një deklarate se burgimi i zotit Kozulin dhe i vëzhguesve të tjerë, është një tregues i përkeqësimit të procesit demokratik në Bjellorusi. Katër vëzhguesit janë anëtarë të organizatës së pavarur “Partneriteti”. Ata morrën dënime deri në dy vjet burgim për pjesëmarrje në një organizatë të paregjistruar.

Grupi kishte planifikuar të dërgonte vëzhgues në gjithë vendin gjatë zgjedhjeve presidenciale të 19 marsit. Arrestimi i tyre në shkurt, bëri që planet të dështonin. Zgjedhjet i dhanë presidentit Aleksandër Lukashenko një mandat të tretë. Komuniteti ndërkombëtar i cilësoi zgjedhjet si të manipuluara. Zoti Kozulin u dënua në korrik për nxitje të trazirave lidhur me organizimin e një proteste kundër zgjedhjeve. Ai u dënua me 5 vjet e gjysmë burgim.

XS
SM
MD
LG