Lidhje

Çlirim Gjata - Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve


Zoti Çlirim Gjata mundi të fitojë postin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm në raundin e dytë të votimit kundrejt kandidates tjetër të së majtës Dëshira Subashi. Ai do të ketë megjithatë një mandat të kufizuar 6 mujor për shkak se nuk mundi të sigurojë 5 votat e nevojshme për të marrë drejtimin me kohë të plotë. Komisioni zgjedhor u plotësua më anëtarë të tij dy javë më parë.

Zgjedhja e anëtarit nga ana e parlamentit i cili vetëm me votat e shumicës emëroi një kandidaturë të djathtë, shkaktoi një konflikt shumë të ashpër me opozitën e cila shprehet se ai post i takonte asaj. Pasojat e këtij konlikti rrezikojnë të pengojnë seriozisht procesin e përgatitjes së zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e majtë pranë komisionit deklaruan sot se nuk do t’i njohin vendimet e marra prej tij nëse atyre nuk u jepet posti i grabitur i anëtarit, sic u shpreh përfaqësuesi socialist Ylli Manjani: “Deri atëherë nuk njohim asnjë vendim tuajin dhe nuk I përgjigjemi asnjë kërkese tuajës për administrimin normal të procesit zgjedhor dhe për ndërtimin e komisioneve të ulta zgjedhore. Deri në kthimin e këtij legjitimiteti mirupafshim.”

Procesi zgjedhor rrezikon të bllokohet edhe për shkak të një tjetër vendimi të marrë sot nga drejtuesit socialist të shumicës dërrmuese të njësive bashkiake në Tiranë.

Mira Veizi drejtuese e njësisë 10 në kryeqytet tha se ata nuk pranojnë udhëzimin e ministrit të Brendshëm mbi përgatitjen e listave të zgjedhësve duke u mbështetur në regjistrin e përkohshëm: “Materialet e dërguara nga ministria e brendshme për përgatitjen e listave të zgjedhësve janë të pambështetura në kodin zgjedhor e për pasoja janë të pazbatueshme. Ne jemi të vendosur që duke zbatur kodin zgjedhor, të injorojmë udhëzimet e paligjshme të ministrit të Brendshëm”.

Ky vendim i cili mund të ndiqet edhe nga drejtuesit e tjerë të së majtës e cila kontrollon shumicën e pushtetit vendor mund të përshkallëzojë acarimin politik. Pak kohë më parë kur kryetari socialist Edi Rama avancoi idenë e mosnjohjes së udhëzimit të ministrisë së Brendshme, ministri Olldashi u shpreh qartë se një qëndrim i tillë do të shoqërohej me pasoja ligjore ndaj drejtuesve vendorë.

XS
SM
MD
LG