Lidhje

Ushtria izraelite zgjeron operacionin në Libanin e Jugut


Trupat izraelite po e zgjerojnë operacionin e tyre në jug të Libanit, ndërkohë që njoftohet se disa njësi kanë arritur në zonën e lumit Litani, rreth 20 kilometra në veri të kufirit me Izraelin.

Zgjerimi i ofensivës israelite pason miratimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të rezolutën që synon ti japë fund luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut. Izraeli tha se numri i ushtarëve në Liban është trefishuar, duke arritur në rreth 30 mijë. 7 ushtarë izraelitë u vranë sot në Liban dhe 50 të tjerë u plagosën.

Tanket izraelite dhe makinat e blinduara hynë sot në veri drejt Lumit Litani. Komandot izraelite njoftuan për luftime të ashpra me militantët Hezbollah në një qytet të Libanit të jugut. Rrjetet televizive arabe thonë se Hezbollahu vrau sot të paktën 4 ushtarë izraelitë.

Zyrtarët libanezë thanë se nga sulmet ajrore izraelite në gjithë vendin u vranë të paktën 19 veta. Gjithashtu u ndërpre rryma elektrike në qytetet Sidon dhe Tyre. Po sot, Hezbollahu hodhi raketa të tjera në veri të Izraelit, duke shkaktuar disa të plagosur.

Pas miratimit të rezolutës

Kryeministri libanez Fuad Siniora tha se rezoluta e Kombeve të Bashkuara për armëpushim që ka si synim ti japë fund luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut, i shërben interesave të Libanit. Kabineti i Libanit mblidhet sot në Bejrut për të shqyrtuar rezolutën.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert pritet ti kërkojë kabinetit të tij ta miratojë rezolutën në mbledhjen e nesërme. Udhëheqësi i Hezbollahut tha se forcat e tij do ta respektojnë armëpushimin. Por ai shtoi se forcat Hezbollah do të vazhdojnë luftimet për derisa trupat izraelite të jenë në Liban.

Ndërkohë, sipas medias izraelite, një zyrtar izraelit tha se armëpushimi do të hyjë në fuqi të hënën në mëngjes. Zyrtarët e OKB-së thonë se një forcë ndërkombëtare mund të fillojë dislokimin brenda një jave. Vendet perendimore e kanë përshëndetur rezolutën e cila u miratua dje në Këshillin e Sigurimit.

Presidenti Bush i telefonoi sot kryeministrit libanez. Një zëdhënës amerikan për sigurimin kombëtar tha se zoti Bush theksoi nevojën e çarmatimit të Hezbollahut si një shtet brënda një shteti.

XS
SM
MD
LG