Lidhje

Vriten 24 ushtarë izraelitë në luftimet me militantët Hezbollah në Libanin e jugut


Ushtria izraelite njoftoi se dje në luftimet me militantët Hezbollah në Libanin e jugut u vranë 24 ushtarë, duke përfshirë edhe 5 trupa izraelite helikopteri i të cilëve u rrëzua i qëlluar me armë zjarri.

Hezbollahu tha se e kishte rrëzuar helikopterin mbrëmë me raketë. Izraeli e konfirmoi incidentin dhe tha se 5 pjestarët e ekuipazhit rezultonin të zhdukur dhe mendohet se kanë vdekur.

Këto ishin humbjet më të rënda ushtarake të Izraelit brenda një dite që nga fillimi i konfliktit një muaj më parë. Izraeli tha se kishte vrarë dje më shumë se 40 guerilje Hezbollah ndërkohë që kishte zgjeruar ofensivën e tij ushtarake në Libanin e Jugut.

Sipas zyrtarëve libanezë, aeroplanët izraelitë goditën sot në mëngjes rrugë dhe ura në një rajon verior.

Autoritetet thonë se nga sulmet ajrore izraelite u goditën edhe objektiva në kampin e refugjatëve palestinezë Ain el-Helweh.

Izraeli thotë se në Liban veprojnë tani 30 mijë trupa të tij dhe se një pjesë e tyre kanë arritur lumin Litani, rreth 30 kilometra në veri të kufirit izraelit.

NE PRITJE TE ARMEPUSHIMIT

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, thotë se kryeministrat e Izraelit dhe Libanit kanë rënë dakord për një armëpushim duke filluar nga nesër në orën 5 të mëgjesit sipas Grinuiçit.

Deklarata bëhet pas miratimit nga kabineti libanez të rezolutës së Këshillit të Sigurimit, e cila ka për qëllim t’i japë fund luftimeve midis Izraelit dhe Hezbullahut që filluan një muaj më parë. Kryeministri libanez, Fuad Siniora, u tha dje gazetarëve se kabineti i tij e miratoi njëzëri rezolutën.

Kryeministri Izraelit Ehud Olmert, pritet t’i kërkojë sot kabinetit të tij që ta miratojë rezolutën.

Edhe udhëheqësi i Hezbullahut, Hasan Nasrallah, ka konfirmuar se forcat e tij do t’i binden armëpushimit të miratuar nga OKB-ja. Por ai tha se Hezbullahu do të vazhdojë luftën për sa kohë që trupat izraelite të ndodhen në Liban.

Zyrtarë të OKB-së thonë se një forcë ndërkombëtare do të fillojë të dislokohet në Libanin Jugor brenda një jave. Dje, presidenti Bush i telefonoi kryeministrit libanez, Siniora. Një zëdhënës tha se presidenti Bush kishte theksuar gjatë bisedës, nevojën e prishjes së shtetit brenda shtetit të krijuar nga Hezbullahu në Liban.//ii

XS
SM
MD
LG