Lidhje

Izraeli miraton rezolutën e OKB-së për armëpushim


Izraeli miratoi rezolutën e OKB-së për armëpushim që synon t’u japë fund luftimeve një-mujore me Hezbollahun në Liban.

Ministrja e jashtme izraelite, Tzipi Livni tha se forcat izraelite do të largohen nga Libani kur të dislokohet një forcë e zgjeruar ndërkombëtare dhe ushtria libaneze.

Ajo tha gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë kërkesën e Izraelit që Hezbollahu të lirojë dy ushtarët izraelitë, rrëmbimi i të cilëve shkaktoi fillimin e luftimeve.

Qeveria libaneze e miratoi marrëveshjen e armëpushimit dje. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan tha se kryeministrat e Izraelit dhe Libanit ranë dakort që armëpushimi të fillojë nesër në mëngjes.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hasan Nasrallah tha se forcat e tij do ta respektojnë armëpushimin e OKB-së, por shtoi se Hezbollahu do të vazhdojë të luftojë derisa trupat izraelite të largohen nga Libani.

XS
SM
MD
LG