Lidhje

SHBA-BE: Pikëpamjet e ndryshme rishfaqen


Shumë analistë thonë se gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë përpjekur shumë për të riparuar marrëdhëniet mes tyre të cilat kishin pësuar plasaritje të thella për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Irakun. Të dyja palët bashkëpunuan mirë për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si Afganistani, konflikti izraelito-palestinez dhe ambiciet bërthamore të Iranit. Megjithatë, shumica e analistëve tërheqin vemendjen se mes të dyja anëve të Atlantikut përsëri po dalin në pah pikpamje të kundërta.

Shumë ekspertë venë në dukje se që nga fillimi i mandatit të dytë të Presidentit Bush ka patur një përmirësim të qartë në marrëdhëniet amerikano-evropiane dhe se të dyja palët kanë bërë përpjekje të pazakonta për të shëruar plasaritjet që dolën në pah gjatë debatit për luftën në Irak.

Charles Kupchan, Drejtor i Programit për Evropën në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë në Nju Jork, thotë se amerikanët dhe evropianët e shihnin me shqetësim dobësimin e mundshëm të marrëdhënieve mes tyre.

“Shtetet e Bashkuara u përpoqën ta bënin çdo gjë vetë por panë se ashtu ishte shumë e vështirë dhe e kushtueshme. Gjithashtu, shumë evropianë mendonin me naivitet se jeta pa Amerikën do të ishte pa telashe dhe se kishte ardhur koha që Evropa të dilte nga hija e fuqisë amerikane. Ata e hodhën vështrimin nga humnera por kjo në Evropë krijoi shumë kundërshti.”

“Duam apo nuk duam, Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të kenë nevojë për të paktën disa aleatë evropianë që t’i mbështesin gjatë gjithë kohës. Dhe, duan apo nuk duan evropianët, ata gjithmonë do të kenë nevojë për pjesmarrjen amerikane sa herë që do të duan të zgjidhin diçka”, thotë analisti amerikan Xhon Hallsman, i cili punon pranë Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë në Berlin.

“Evropianët, sa herë që kanë vepruar vetëm nuk kanë arritur absolutisht asgjë në botë vitet e fundit. Po ashtu edhe amerikanët. Është pikërisht si ajo shprehja e famshme që përdori kitaristi kryesor i Rolling Stonsave, Kith Richards kur shoku i tij Mik Xheger donte të largohej nga grupi: ‘I dashur, fjala është për më shumë se sa vetëm ne të dy”, thotë ai.

Megjithatë, shumica e analistëve venë në dukje se bazat e aleancës ndëratlantike kanë ndryshuar që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, thonë ata, kanë krijuar politika të jashtëme dhe doktrina sigurimi që konkurrojnë me njëra-tjetrën. Evropianët janë për ndryshime graduale si dhe për angazhimin ekonomik dhe politik të kundërshtarëve ndërsa amerikanët janë për konfrontimin e kundërshtarëve në mënyrë të njëanëshme nëse është e nevojshme.

Por Xhon Halsman thotë se nëse trajtohen me kujdes, këto pikëpamje të ndryshme mund të sjellin rezultate pozitive.

Kjo u duk edhe në konfliktin e tanishëm në Lindjen e Mesme, ku dy palët nxorrën në pah pikpamje të ndryshme, sidomos përsa i përket çështjes së përdorimit të forcës, ndikimit të luftimeve tek civilët dhe përkufizimit të terrorizmit.

Në këtë rast, thotë Xhefri Gedmin, Drejtor i Institutit Aspen në Berlin, u arrit një zgjidhje kompromisi, por partneriteti ndëratlantik mund të hasë në pengesa kur të vijë puna te çështja më e vështirë, që është se si do të veprohet me ambiciet bërthamore të Iranit.

“Për amerikanët, kjo është një çështje urgjente dhe e panegociueshme. Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë se ne nuk do t’i lejojmë hoxhallarët në Teheran të kenë bombën atomike, ai e ka seriozisht. Mendoj se amerikanët në këtë rast janë gati të sakrifikojnë sepse ata mendojnë që kjo përbën kërcënim për paqen, për sigurinë dhe për stabilitetin në rajon. Por përveç kësaj, ajo është edhe pjesë e luftës më të gjerë kundër terrorit. Evropianët mendojnë paksa ndryshe. Të kuptohemi, edhe ata e marrin këtë seriozisht, por serioziteti duket kur vjen fjala për veprime konkrete. Vetëm atëhere mund ta kuptosh se sa të gatshëm janë ata për të rrezikuar dhe sakrifikuar.”

Charles Kupchan i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se pikpamjet e ndryshme amerikano-evropiane për Irakun nuk janë asgjë po të krahasohen me problemet që mund të dalin nga çështja e Iranit. Ai thotë se kjo çështje mund t’i dobësojë seriozisht marrëdhëniet ndëratlantike nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin ndonjë veprim ushtarak kundër objekteve bërthamore të Iranit pa mbështetjen e partnerëve të tyre evropianë.

Sipas tij, një veprim ushtarak amerikan kundër Iranit pa mbështetjen e OKB-së dhe të Evropës mund t’i kthente shumë prapa marrëdhëniet ndëratlantike. Por analistë të tjerë mendojnë se një goditje ushtarake nuk do të ishte e mundur sepse nuk ka garanci që ajo do t’i frenonte ambicjet e Teheranit për të patur armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG