Lidhje

Luftimet e ashpra përfundojnë me hyrjen në fuqi të armëpushimit


Luftimet e ashpra rreth një mujore mes forcave izraelite dhe ekstremistëve të Hezbollahut përfunduan me hyrjen në fuqi të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga OKB-ja. Pavarësisht nga disa incidente kur trupat izraelite dhe ekstremistët e Hezbollahut shkëmbyen zjarr, armëpushimi duket se po respektohet. Kryeministri i Izraelit iu përgjigj kritikëve duke thënë se veprimet e vendit të tij kanë ndihmuar për pakësimin e kërcënimit të Hezbollahut.

Zëri nga radioja vinte me ndërprerje përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit kur komandantët izraelitë urdhëruan trupat e tyre për të ndaluar ofensivën në Liban. Pak më pas një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se disa trupa izraelite kishin filluar të tërhiqeshin nga Libani, megjithëse pjesa më e madhe e forcave do të vazhdojnë të qëndrojnë deri sa të arrijnë paqeruajtësit e OKB-së.

Duke folur më pas në parlament, kryeministri Ehud Olmert e mbrojti me forcë vendimin për të shkuar në luftë në Liban, duke thënë se veprimet e Izraelit ndihmuan për eliminimin e një shteti brenda shtetit, të drejtuar nga Hezbollahu.

“Lufta ndryshoi balancën strategjike në rajon në disavantazh të Hezbollahut. Rezervat e tij të armëve janë shkatërruar në përgjithësi dhe besimi i tij ishte minuar në masë të madhe”, tha zoti Olmert.

Ai premtoi gjithashtu se do të vazhdonte të godiste udhëheqësit e Hezbollahut dhe të bënte gjithçka të mundur për të liruar dy ushtarët izraelitë, kapja e të cilëve nga ekstremistët e Hezbollahut më 12 korrik shkaktoi krizën.

Zoti Olmert u bëri thirrje të tregohen të duruar kritikëve që thonë se ndërprerja e luftimeve tani do të thotë se Izraeli nuk e ka arritur objektivin për eliminimin e rrezikut të Hezbollahut.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Amir Peretz thotë se do të caktojë një komision për të kryer një hetim për operacionin ushtarak.

Oficerët e ushtrive izraelite dhe libaneze u takuan me komanantin e forcave të Kombeve të Bashkuara në Libanin e jugut për të diskutuar mbi tërheqjen izraelite nga vendi. Sipas marrëveshjes për armëpushim, 15 mijë paqeruajtës ndërkombëtarë do të bashkohen me forcën e OKB-së në Liban të quajtur UNIFIL për të ndihmuar trupat libaneze për realizimin e synimit për të ndaluar furnizimin me armë të Hezbollahut.

I dërguari i posaçëm i OKB-së në Lindjen e Mesme Alvaro de Soto thotë se paqeruajtësit duhet të fillojnë të arrijnë brenda pak ditësh dhe se forca duhet të ketë autoritetin që të zbatojë mandatin e përcaktuar.

“UNIFIL-i ka kaluar përmes fazash të ndryshme. Tani ka një mandat të kufizuar, përbëhet vetëm nga dy mijë vetë. Por do të arrijë deri në 15 mijë vetë dhe do të ketë aftësi të përforcuara për të ndihmuar qeverinë e Libanit për të kryer përgjegjësitë e saj. E rëndësishme është se është qeveria e Libanit që do ta marrë këtë përgjegjësi dhe ky është një hap i rëndësishëm”.

Zyrtarët izraelitë thonë se trupat e tyre do të tërhiqen nga Libani vetëm kur paqeruajtësit dhe ushtria libaneze të dislokohet në jug. Udhëheqësit e Hezbollahut thonë se ndërsa ata e kanë pranuar armëpushimin, ata thonë se mund të vazhdojnë luftimet përsa kohë që trupat izraelite të qëndrojnë Liban. Zyrtarët izraelitë thonë se sipas mandatit të rezolutës së OKB-së ata lejohet të kundërpërgjigjen nëse sulmohen dhe ata paralajmërojnë që do ta bëjnë një gjë të tillë dhe nëse është e nevojshme do të përdorin forcën.

XS
SM
MD
LG