Lidhje

Akademia ushtarake West Point përballë sfidave të luftës kundër terrorizmit


Mbi 60 për qind e personelit të ushtrisë amerikane janë dislokuar në Irak dhe në Afganistan. Shumë prej tyre janë stërvitur sipas mentalitetit të Luftës së Ftohtë gjatë konfliktit me një superfuqi. Por në luftrat e kohëve të sotme armiku është shumë i ndryshëm. Kryengritja në Irak dhe në Afganistan e ka detyruar ushtrinë t’i ndryshojë mënyrat e përgatitjes së komandantëve të saj të ardhshëm. Tani Akademia ushtarake West Point-it po i stërvit kadetët me një koncept modern për një fushë betejë të llojit të ri.

Ndërsa dëgjohet muzikë arabe nga një radio e vendosur në dritaren e një shtëpie fshati të simuluar, ushtarë amerikanë i afrohen me kujdes një kryetari fisi... Pjesa tjetër e njësisë zë pozicione pas pemëve aty pranë. Po të mos ishin gjithë ato pemë, do të dukej vërtet si në Irak. Pikërisht, kjo është ideja e këtij simulimi, thotë majori i ushtrisë amerikane, Christopher McKinney.

Por ashtu sikurse plumbat në këtë provë stëvitore, ky nuk është një fshat, apo betejë e vërtetë në Irak. Kjo është akademia ushtarake West Point, institucioni më prestigjioz i ushtrisë amerikane, i ndodhur në brigjet e Lumit Hudson në shtetin e New Yorkut. Ky është një institucion i lartë për mësimin e artit ushtarak dhe për përgatitjen e oficerëve të ardhshëm nga niveli zero, për t’u bërë më pas të aftë për të përballuar sfidat e një kryengritjeje.

Kapiteni Ryan Morgan shërbeu në Irak në fillim të ndërhyrjes, në viitn 2003. Tani ai jep mësim në Akademi. Ai vetë është diplomuar në West Point, në një kohë kur ushtria përgatiste kuadro për të luftuar kundër një superfuqie. "Na është dashur që të ndryshojmë fokusin e stërvitjes sonë, nga metoda e ofensivës statike e përdorur gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në luftime asimetrike dhe me trupa të shpërndara, siç po veprojmë në operacionet në Afganistan dhe Irak," thotë Kapiteni.

Instruktorët këtu thonë se thuajse të gjithë kadetët e West Poin-it do të shërbejnë në Irak, apo në Afganistan gjatë shërbimit të tyre të parë ushtarak 5-vjeçar. Shumica e tyre do të shkojnë atje më pak se një vit pasi të mbarojnë studimet. Këta kadetë do të jenë oficerë, që do të udhëheqin ushtarët në beteja, ose në disa raste, edhe në kurthe të planifikuara.

Për të ndihmuar ushtrinë në krijimin e luftimeve thuajse reale gjatë stërvitjes, shfrytëzohen përkthyesit dhe aktorët për të cilët lufta në Irak nuk ka qenë thjesht një simulim. Kështu për shembull, Sami Sawa u largua nga Basra në vitin 1992. Që nga fillimi i luftës në vitin 2003, ai ka shkuarr dhe ka ardhur prej andej si përkthyes dhe si konsulent. Tani ai luan rolin e një sheiku fshati dhe merr rrogë nga ushtria amerikane. "Dua që ata të mësojnë se si të sillen me popullin irakian, me zakonet e tyre. Për shembull, të mos u flasin femrave, mos t’i takojnë ato ( duke u dhënë dorën), të mos i bezdisin sheikët. Sheikët e fiseve duhen respektuar, ashtu sikurse edhe emirët e fshatit, apo të qytetit... Të kujdesen për njerëzit, të tregohen të sjellshëm me ta dhe t’u buzëqeshin. Në këtë mënryë, ata do të fitojnë respektin e tyre," thotë Samiu.

Stërvitja është njëkohësisht koha dhe vendi kur instruktorët u mësojnë kadetëve se si të forcojnë etikën në fushën e betejës, pjesërisht kjo e nxitur edhe nga akuzat e kohëve të fundit për përdhunime dhe vrasje të civilëve irakianë nga ushtarët amerikanë. "Ne u kërkojmë kadetëve të kalojnë një proces të plotë hetimesh, të bëjnë betimin para dëshmisë dhe gjithshka tjetër, pra ne i krijojmë situatat këtu në stërvitje, ashtu sikurse do të bënim edhe në fushën e betejës," thotë Majori Brian McKinney.

Kjo është një mënyrë e re sërvitjeje, e cila po evolon njëkohësisht me vazhdimin e luftës në Irak dhe në Afganistan. Veteranët që kthehen nga fusha e betejës, ku plumbat dhe trupat janë realë, ia transmetojnë njohuritë e tyre këtyre kadetëve, sipas thënies së vjetër në ushtri, se “sa më tepër djersë të derdhet në stërvitje, aq më pak gjak do të ketë në fushën e betejës.”

XS
SM
MD
LG