Lidhje

Qeveria shqiptare shpall një nismë për nxitjen e investimeve të huaja dhe vendase


Qeveria shqiptare shpalli sot nismën “Shqipëria 1 euro” e cila synon të nxisë investimet e huaja dhe vendase duke u hequr atyre kostot për finacimet që do të kryejnë. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohet projekti i premtuar për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet.

Disa ditë më parë në Tiranë ndërsa merrte pjesë në 60 vjetorin e organizatës shqiptaro-amerikan kryeministri Sali Berisha hodhi idenë e shmangies të kostove për të gjitha ata që dëshironin të kryenin investime në Shqipëri.

Sot në mbledhjen e qeverisë kjo ide u shpall si një nismë e pagëzuar me emrin “Shqipëria 1 euro” për vënien në jetë të së cilës ai kërkoi angazhimin e të gjitha institucioneve. Kryeministri tha se Shqipëria mund të bëhet vendi më tërheqës për investime vetëm duke tejkaluar praktikat e të tjerëve:

"Shqipëria do të bëhet më tërheqëse vetëm atëherë kur të jetë më e lira dhe më e mira. Nuk duhet të jemi iluzivë. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të realizojmë për këtë vend kaq të varfër standartet e BE- së, projektit ëndërr të këtij shekulli për shqiptarët. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbajmë energjinë e kombit brenda për të ndërtuar vendin dhe jo të ndërtojmë rrugët, fermat apo sipërmarrjet e të tjerëve".

Kjo nismë të cilën kryeministri e konsideroi si sfidën më të madhe, nuk do të përfshijë vetëm investitorët e huaj por edhe ata vendas. Ministria e Ekonomisë do të jetë ajo që do të përcaktojë kriteret për realizimin e kësaj nisme:

"Do t’u ofrojmë tokën me një euro, do t’u ofrojmë kualifikimin e punëtorëve me një euro, do t’u ofrojmë ujë teknologjik me një euro, do tu ofrohet regjistrimi i biznesit me një euro, do t’u ofrohet hyrja në Shqipëri me një euro".

Kryeministri megjithatë shtoi se lista e lehtësirave që ai përmendi do të zgjerohet me shumë të tjera. Shqipëria aktualisht është vendi me nivelin më të ulët të investimeve të huaja ne rajon. Vitet e fundit niveli e këtyre investimeve ka kapur shifrat e mbi 300 milion dollarëve, por kjo falë vetëm privatizimit të disa sektorëve strategjikë.

XS
SM
MD
LG