Lidhje

Sistemi ligjor, faktor kryesor i suksesit kundër korrupsionit


Banka Botërore thotë se ka pasur një rënie të nivelit të korrupsionit në 26 vende ish-komuniste dhe në Turqi gjatë viteve të fundit. Një raport i fundit i Bankës Botërore arrin në përfundimin se një sistem i fortë drejtësie është ndër faktorët kryesorë të suksesit në luftën kundër korrupsionit.

Raporti i Bankës Botërore arrin në përfundimin se vendet që praktikojnë reformat më të forta të hapjes së tregjeve kanë shënuar përparimin më të madh në luftën kundër korrupsionit. Ekonomistët thonë se Sllovakia, Estonia dhe Gjeorgjia janë ndër shembujt kryesorë të suksesit. Këto vende në tranzicion kanë kaluar në praktika që e bëjnë më të lehtë vjeljen e taksave dhe ulin dukurinë e shmangjes së taksave.

Bashkë-autori i raportit James Anderson thotë se një ndihmë të madhe jep edhe thjeshtësimi i procedurave të kontrollit doganor: "Me uljen e kohëzgjatjes së qëndrimit në doganë si dhe me përmirësimin e kontrollit doganor, firmat e kanë më të lehtë të kalojnë doganën dhe ulen edhe shanset për rryshfete".

Bashkëautorja e raportit Sheryl Gray thotë se reformat janë thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Ajo thotë se përparimi i habitshëm i Rumanisë është më së shumti rezultat i angazhimit dhe motivimit të ministrit të drejtësisë. Por edhe vende të tjera janë angazhuar në këto përpjekje: "Po punojmë aktualisht në Ukrainë, Rusi, Shqipëri, Maqedoni, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan. Shumë vende u janë bashkuar këtyre përpjekjeve".

Bizneset në ekonomitë në tranzicion thonë se mungesa e efikasitetit të sistemit të drejtësisë është një pengesë për investimet. Elementë kritikë janë zgjedhja e gjykatësve, rritja e pagave të tyre dhe përdorimi i teknologjisë informatike për shpejtimin e proceseve.

Një temë e rëndësishme në raport është nevoja për një udhëheqje të fortë dhe për mbikqyrje të vazhdueshme për të fituar luftën kundër korrupsionit: James Anderson Kemi zbuluar se vendet që kanë shënuar sukses më të madh janë ato që janë treguar këmbëngulëse në procesin e zbatimit të reformave.

Raporti arrin në përfundimin se perspektiva për antarësim në Bashkimin Evropian është një stimul i fuqishëm në luftën kundër korrupsionit. Pjesë përbërëse të luftës kundër kurrupsionit janë shtypi i lirë, transparenca në prokurimet e projekteve publike, reforma gjyqësore si dhe një shtet i fortë ligjor.

XS
SM
MD
LG