Lidhje

Hezbollahu në fushatë propagandistike


Sapo në Liban hyri në fuqi armpushimi i arritur me ndërmjetësinë e OKB-së, makineria e ndihmës sociale të Hezbollahut filloi punën me kapacitet të plotë. Kjo organizatë që cilësohet si grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara po kompenson me para mijra libanezë të cilët kanë humbur shtëpitë gjatë luftimeve 34-ditëshe mes Izraelit dhe këtij grupi militant. Nga lagjet jugore të Bejrutit, Margaret Besheer e Zërit të Amerikës sjell hollësi të tjera mbi përpjekjet e Hezbollahut për të ruajtur mbështetjen e publikut.

Vetëm 10 ditë më parë, lagja Haret Hreik e Beirutit jugor i ngjante një qyteti fantazmë për shkak të bombardimit të ashpër. Tani ajo është gjallëruar nga trafiku dhe nga zhurma e makinerive të rënda që pastrojnë rrënojat e bombardimeve izraelite.

Përpara rrënojave të ndërtesës që dikur ishte stacioni televiziv al-Manar i Hezbollahut, nga një kamion buçet muzikë që glorifikon çështjen për të cilën Hezbollahu. Në grumbujt e rrënojave që më parë ishin shtëpi banimi, tani mund të shikosh flamurë të mëdhenj të kuq ku shkruhet: Made in USA.

Kudo të zë syri parrullën: Fitorja Hyjnore. Dhe askund nuk përmendet që Hezbollahu provokoi fushatën ushtarake izraelite me ngjarjet e 12 korrikut kur u fut në Izrael dhe rrëmbeu dy ushtarë izraelitë.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, hezbollahu ka filluar një betejë të re – një fushatë të madhe propagandistike të mbështetur me miliona dollarë. Hezbollahu ose Partia e Zotit, nuk do që njerëzit të kthehen kundër tij prandaj po përpiqet ta zbutë zemërimin e mundshëm të njerëzve duke shpërndarë dollarë.

Në njërën prej qendrave të tyre të regjistrimit, njerëzit mbajnë radhën dhe priten nga vullnetarë me fytyra miqësore që u japin atyre ujë dhe karamele. Ata që paraqisin kërkesën duhet të sjellin vetëm një letërnjoftim dhe ndonjë provë se ishin pronarë ose qeraxhinj në njërin prej apartamenteve të shkatërruar. Në shumicën e rasteve, atyre u jepet kompensimi brenda 48 orëve.

Bilal Naim, zyrtar i Hezbollahut, thotë se kjo parti po ndihmon të gjithë libanezët, myslimanë apo të krishterë, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar ose dëmtuar.

"Në jug, në Liginën e Bekasë në veri dhe kudo në Liban ne bëjmë të njëjtën gjë: secilit që ka humbur shtëpinë apo apartamentin ne i japim 10 mijë dollarë në jug dhe në Bekaa si dhe 12 mijë dollarë në Beirut për të marrë me qera një apartament apo për të blerë mobilje."

Kritikët e Hezbollahut thonë se këto para vijnë nga mbështetësi i tij kryesor: Irani. Por Naimi thotë se paratë vijnë nga donacionet si dhe nga fondet që organizata ka patur për ndërtimin e xhamive dhe të qendrave të komunitetit. Hezbollahu e filloi shpërndarjen e kompensimeve të enjten, vetëm tre ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Qeveria libaneze ndërkohë nuk ka njoftuar ndonjë plan për të ndihmuar njerëzit e pastrehë dhe të zhvendosur.

Edhe Nazira Farhat është njëra prej atyre që humbën shtëpinë nga një goditje ajrore izraelite. Ajo thotë se kishte shpëtuar vetëm me një valixhe me sendet më të domosdoshme kur në lagjen e saj avionët izraelitë kishin hedhur fletushka ku i paralajmëronin banorët të largoheshin. Edhe ajo ka ardhur në këtë shkollë për të marrë 12 mijë dollarët që i jep Hezbollahu.

Një zyrtar i Hezbollahut kontrollon dokumentat dhe vërtetimet e saj dhe pastaj, fare i qetë nxjerr një grumbull kartëmonedhash 100-dollarëshe nga një trastë e zezë prej najloni të cilat ja zgjat Farhatit.

Këto nuk mjaftojnë për të zëvendësuar shtëpinë, bizhuteritë dhe mobiljet që ajo thotë se i humbi por të paktën është një fillim. Farhati duket e kënaqur – ajo thotë se nuk i vjen keq për plaçkat kur të tjerët kanë humbur jetën. //ii

XS
SM
MD
LG