Lidhje

Finlanda kërkon dërgimin e shpejtë të trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në jug të Libanit


Ministri i Jashtëm i Finlandës tha se do të donte që përforcimet e para për forcën paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban të arrijnë brenda javës së ardhëshme. Finlanda mban tani presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Erkki Tuomioje foli sot me gazetarët në Berlin pas bisedimeve me zyrtarë të lartë gjermanë. Ai tha se momenti është kritik dhe se shpreson të ketë angazhime specifike për numrin e trupave nga vendet anëtare të Bashkmit Evropain deri nesër.

Presidenti francez, Zhak Shirak pritet të njoftojë shtimin e kontigjentit francez të trupave sot më vonë. Franca është kritikuar se fillimisht u zotua të dërgonte vetëm 200 trupa shtesë. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për përfundimin e luftës një mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut parashikon shtimin me 15 mijë trupa të forcës së OKB-së në Liban.

Në Romë, ministrja e Jashtme e Izraelit, Tzipi Livni, tha se rezoluta duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt. Në një zhvillim tjetër, shefi i ushtrisë izraelite pranoi publikisht për herë të parë gabimet në luftën me Hezbollahun. Në një letër drejtuar ushtrisë, gjeneral-lejtnanti Dan Halutz pranoi se pati probleme logjistike, operacionale dhe komandimi.

XS
SM
MD
LG