Lidhje

Reportazh: Zveçan, ku koha ka ngelur në vend ...


Zveçani është një komunë e vogël në veri të Kosovës, ndërtuar mes malesh. Qyteza ka më shumë popullsi se para lufte, sepse serbë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Kosovës janë vendosur atje dhe vazhdojnë të jetojnë që nga mbarimi i luftës. Marija, 31 vjece, me dy fëmijë, është inxhiniere, por punon në këtë dyqan të vogël si shitëse, sepse nuk ka gjetur punë. Marija thotë se duhet të ndërtohen fabrika në këtë zonë dhe të punohet.“Natyrisht, para bombardimit mund të gjeja punë, tani nuk mundem, nuk ka asnjë fabrikë për përpunimin e pemëve, nuk ka punë. Nuk e di se çfarë do të duhet. Mua nuk më pyet njeri dhe nuk ka kuptim të them sesi do të doja unë”.

Anica Furunxhiç, 70-vjecare, mendon njësoj. Për të, ashtu si për shumë serbë të veriut të Kosovës dhe serbë të tjerë që jetojnë në enklava në pjesën tjetër të vendit, koha është ndarë, para dhe pas bombardimeve të NATO-s. “Duhet te jete siç ka qenë më parë, që serbët dhe shqiptarët të pajtohen. Unë kam qenë mësuese këtu për 33 vjet. Shqiptarët kanë qenë kolegë të mirë deri në kohën e bombardimeve, në fakt deri në vitet 90-të kur filluan (protestat). Kështu si është nuk do të jetë mire. Ata kërkojnë pavarësi, Serbia nuk mund të pajtohet me këtë dhe as serbët këtu. Nëse do të ishte qetësuar gjendja, atëherë ndoshta edhe do të kishte punë”.

Sllobodan Zllatkoviç, serb që ka lindur dhe është rritur në Zveçan. Të gjithë e thërrasin Bobi, pronari i kafenesë në qendër të Zveçanit. Ai ka punuar më parë në furrnaltat e Trepçës. “Rrënjët e problemit janë 200 vjet të vjetra. Për fat të keq, askush nuk provoi ta zgjidhte problemin dhe gjendja u shkallëzua para 10 vjetësh. Unë nuk besoj në demokraci. Demokracia nënkupton qeverisjen e shumicës, mirëpo unë nuk i besoj shumicës, sepse shumicën e përbëjnë mediokrët. Është e tmerrshme të kesh të bësh me turmën, turma është e frikshme, ka shume energji dhe aty ka edhe primitivizëm dhe banalitet”.

Politikanët dinë shumë mirë të përcaktojnë kur u nevojitet diçka. E di si ka qenë para 40 vjetësh? Nuk ishte kështu. Por e di edhe kur është përgatitur terreni per atë që ndodhi. E kam ditur se çfarë do të ndodhë. Më parë inteligjenca përdorej për të mirën e të gjithëve, sot intelekti përdoret për të mirën personale”.

Në Zveçan duket sikur ora është ndaluar 7 vjet më parë. Të gjithë presin. Statusi do të përcaktojë të ardhmen e tyre, një të ardhme së cilës ata i druhen. Pavarësisht nga garancitë që jepen në Prishtinë për serbët e Kosovës, vështirë se ato arrijnë në Zveçan, ku duket shumë qartë se jeta vazhdon të funksionojë, me një përpjekje të sforcuar, për të mbajtur gjallë atë gjendje që ishte në Kosovë para vitit 1999. //az//

XS
SM
MD
LG