Lidhje

Avioni i rrëzuar në Kentaki ishte nisur nga një pistë e gabuar


Ekspertët e qeverisë amerikane thanë se avioni i pasagjerëve që u rrëzua dje në mëngjes në shtetin Kentaki duke shkaktuar vdekjen e 49 vetëve ishte nisur nga një pistë e gabuar.

Sipas Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit, të dhënat e fluturimit për avionin e kompanisë Comair dhe provat e gjetura në vendin e ngjarjes, tregojnë se aeroplani ishte ngritur nga një pistë tepër e shkurtër për përmasat e tij.

Aeroporti i Leksingtonit në shtetin Kentaki ka dy pista: njëra është 2.134 metra e gjatë ndërsa tjetra, e cila nuk përdoret për trafik udhëtarësh, është sa gjysma e së parës. Ekspertët thonë se ende nuk është e qartë se përse avioni ndodhej në pistën e shkurtër para nisjes.

Autoritetet thonë se aeroplani që ishte nisur për në Atlanta u rrëzua dhe u dogj menjëherë pas ngritjes. Në bord ndodheshin 47 udhëtarë dhe një ekuipazh prej tre vetash.

I vetmi person që shpëtoi ishte piloti kryesor i avionit, i cili po mjekohet në një spital të Leksingtonit dhe ndodhet në gjendje kritike. //ii

XS
SM
MD
LG