Lidhje

Presidenti Bush viziton Nju Orlinsin me rastin e përvjetorit të uraganit


Presidenti Bush vizitoi sot Nju Orlinsin, me rastin përvjetorit të parë të uraganit Katrina. Ai tha në një fjalim që mbajti me këtë rast, se qyteti i kërkon fëmijët e tij të kthehen në shtëpi.

Presidenti Bush foli në një shkollë të mesme, e cila do të rihapet pas disa ditësh, pas rindërtimit nga uragani. Presidenti tha se dallgët kishin arritur deri në tre metra të larta në shkollë kur goditi uragani.

Ai përsëriti zotimin se do të bëhen të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar qytetin të rimëkëmbet. Presidenti vlerësoi lart banorët e qytetit për guximin e tyre gjatë rimëkëmbjes, duke i quajtur ata “më të mirët e Amerikës”. Por shumë shtëpi në Nju Orlins ende janë të shkatërruara dhe disa zona të qytetit ende nuk i kanë shërbimet bazë, si ujin dhe energjinë elektrike.

Numri i popullsisë së qytetit është sot rreth 200 mijë banorë, pra rreth gjysma e asaj që ishte para stuhisë. Kjo ka shkaktuar kritika të mëdha për adminsitratën e presidentit Bush dhe për qeveritë lokale dhe shtetërore.

Uragani shkaktoi dëme të rënda në shtetet e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës dhe la mbi 1 mijë e 800 të vdekur. Katrina ishte një nga uraganet më shkatërrimtarë në historinë e Amerikës.

XS
SM
MD
LG