Lidhje

Shtohet numri i grave që pijnë duhanin në botë 


Gratë po e shtojnë ndjeshëm pirjen e duhanit ndërsa burrat po e pakësojnë atë. Ky është përfundimi i një studimi të quajtur “Një faqe e re: gratë, duhani dhe e ardhmja”. Studimi u bë publik në konferencën ndërkombëtare për kontrollin ndaj kancerit dhe duhanit që u zhvillua kohët e fundit në Washington.

Raporti tërheq vëmendjen tek rreziqet shëndetësore që sjell përdorimi i duhanit për gratë në shekullin e 21. Autorja e tij Lorraine Greaves është drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Ndërkombëtar të Grave kundër Duhanit.

“Aktualisht, 12 përqind e grave në botë pijnë duhan dhe deri në vitin 2025 parashikohet që ky numër të shkojë në 20 përqind”.

Zonja Greaves thotë se ritmi i pirjes së duhanit tek burrat është katër herë më i lartë sesa tek gratë. Por studimet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se në shumicën e vendeve vajzat e reja po e marrin këtë zakon më shpejt sesa djemtë.

“Kjo do të thotë se numri i grave që pijnë duhan do të rritet pasi shumë vajza po pijnë duhan në moshë të re në shumë vende të botës”.

Raporti thotë se gratë në vendet në zhvillim do të jenë gjithnjë e më shumë të përfshira edhe në prodhimin e duhanit. Një studim i OKBsë tregon se 85 përqind e duhanit do të prodhohet në vendet në zhvillim, deri në vitin 2010.

Zonja Greaves thotë se ky ndryshim mund të rrisë përfitimet industriale. Por shitja, reklamimi dhe prodhimi i duhanit mund të ketë kosto të lartë ekonomike, sociale dhe shëndetësore për gratë.

“Siguria ekonomike, ushqimi, siguria familjare për këto gra dëmtohet nga përdorimi i duhanit ose në shumë raste prodhimi i duhanit, ku gratë shfrytëzohen për punën e tyre. Kështu që jemi shumë të shqetësuar nga kjo. Kushtet e punës janë kërcënuese për shëndetin, jo ekonomike, pasi pagesa është shumë e ulët dhe të gjitha këto çojnë në një seri problemesh të tjera, që i pengon gratë të ecin përpara”.

Ekspertët e shëndetësisë në Konferencën Ndërkombëtare për Kancerin dhe Duhanin i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të verë në zbatim konventën e Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Duhanit.

Kjo marrëveshje është ratifikuar nga 134 vende. Ajo ndalon reklamimin e duhanit, kërkon paralajmërime shëndetësore në produktet e duhanit dhe mbështet idenë e ndalimit të duhanit në vende publike. Zonja Greaves thotë se është urgjente që vendet t’i pranojnë këto dispozita.

“Edhe në se numri i grave që pijnë duhan në vende të ndryshme është ende i ulët në 2 apo 5 përqind, ata duhet të përdorin metoda të specifikuara dhe programe menjëherë dhe të mos presin derisa problemi të shtohet”.

Raporti rekomandon përhapjen e programeve edukuese për të rritur ndërgjegjësimin kundër duhanit. Patricia Lambert punon në ministrinë e shëndetësisë në Afrikën e Jugut. Ajo është bashkëautore e studimit. Zonja Lambert thotë se zyrtarët e shëndetësisë në vendin e saj po e luftojnë seriozisht këtë problem ashtu sikurse aparteidin.

“Ne shpresojmë të përdorim të njëjtën strategji – organizimin në gupe dhe familje për të përhapur mesazhin se duhani është një substancë që sjell sëmundje apo vdekje dhe se të varfëron në proces e sipër”.

Autorët e studimit shpresojnë se vendim-marrësit dhe publiku në përgjithësi do t’i shqyrtojnë përfundimet e studimdit dhe do të punojnë për të parandaluar kthimin e parashikimeve të tyre në realitet.

XS
SM
MD
LG