Lidhje

NATO-ja ndërron komandën e paqeruajtësve në Kosovë


Lejtnant Gjenerali Italian Giuseppe Valotto ia dorëzoi sot komandën e paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, Lejtnant Gjeneralit gjerman Roland Kather. Ndërrimi ceremonial i komandës u bë nga admirali Harry Ulrich, Komandant i Forcave Aleate të Përbashkëta të Komandës së NATO-s me bazë në Napoli. Admirali Ulrich pohoi se ende nuk janë marrë vendime për formën që do të ketë misioni i KFOR-it në Kosovën e pas-statusit.

Udhëheqësit e NATO-s ndërruan sot komandën e paqeruajtësve të tyre në Kosovë duke theksuar përparimin e bërë në vend dhe pritjet për të ardhmen.

Lejtnant Gjenerali Italian Giuseppe Valotto ia dorëzoi komandën e paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, Lejtnant Gjeneralit gjerman Roland Kather. Ndërrimi ceremonial i komandës u bë nga admirali Harry Ulrich, Komandant i Forcave Aleate të Përbashkëta të Komandës së NATO-s me bazë në Napoli. Admirali Ulrich pohoi se ende nuk janë marrë vendime për formën që do të ketë misioni i KFOR-it në Kosovën e pas-statusit. “Për të qenë i sinqertë, është krejt e pasigurtë tani sesi do të ndryshojë misioni i KFOR-it, na duhet të përcaktohet statusi përfundimtar, të njoftohet dhe të pranohet, para se të mund të marrim vendime për këtë. Po mendojmë për këtë, por nuk janë marrë vendime ende”, tha zoti Ulrich.

Gjenerali Italian Xhuzepe Valoto, theksoi bashkëpunimin që ka pasur me institucionet në Kosovë. “Ka qenë një rast i jashtëzakonshëm që të punojë për të ardhmen e Kosovës”, tha gjenerali Valoto.

Gjenerali gjerman, Roland Kater do të komandojë paqeruajtësit e NATO-s në një kohë mjaft të rëndësishme dhe po kaq delikate për sigurinë, ndërkohë që pritet zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës. “Ndjehem pak si në shtëpi këtu pas dislokimit tim të parë në periudhën 1999-2000 dhe do të bëjmë gjithcka mundemi për të dhënë një të ardhme të mirë për këtë vend dhe motoja ime për këtë vit është “Formësimi i së ardhmes”, tha ai.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, vlerësoi lart rolin e paqeruajtësve të NATO-s në vend dhe nënvizoi se qytetarët e Kosovës duan pavarësi me standartet më të larta ndërkombëtare për të gjithë. “Statusi i Kosovës do të jetë natyrisht pavarësi dhe sovranitet për vendin tonë. Duam pavarësinë e Kosovës me standartet më të larta ndërkombëtare edhe për komunitetet pakicë”. Autoritetet vendase dhe qytetarët e Kosovës pohojnë se do të donin që prania e paqeruajtësve të NATO-s në vend të vazhdonte edhe pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, dhe po kështu, theksojnë se synimi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike.

XS
SM
MD
LG