Lidhje

Drejtësia dhe sistemi ligjor në Kosovë mbeten ende të brishta


Sistemi gjyqësor në Kosovë ka qenë në qendër të kritikave të ashpra nga disa organizata ndërkombëtare. Drejtori i Departamentit të Drejtësisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Albert Moskoviç, thotë se Kosova ka bërë një rrugë të gjatë që nga koha kur nisi ndërtimi i këtij sistemi gjyqësor 7 vjet më parë. Është e rëndësishme që jo vetëm të bëhet drejtësia, por edhe të shihet që ajo po bëhet, thotë ai.

A është Kosova e gatshme të menaxhojë sistemin e vet gjyqësor? Kjo është një pyetje e cila ka marrë një numër përgjigjesh, dhënie të kufizuar kompetencash nga administrata ndërkombëtare tek autoritetet vendore, paralajmërimi se sistemi gjyqësor dhe rendi do të vazhdojnë të ndihmohen në veçanti nga misioni i ardhshëm civil ndërkombëtar pas statusit, dhe një numër kritikash nga organizatat ndërkombëtare për mungesën e efikasitetit në të. Drejtori i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut, Albert Moskoviç mendon se Kosova ka kaluar një rrugë të gjatë këto 7 vitet e fundit. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, zoti Moskoviç thotë se 95 përqind e rasteve në Kosovë po trajtohen nga gjykatat vendase, prokurorët vendas dhe në pjesën më të madhe, në një mënyrë shumë profesionale. “Ka një numër të vogël rastesh, shumë të ndërlikuara, të ngarkuara emocionalisht, që sipas pikëpamjes sime, kërkojnë ende një prani ndërkombëtare, por një prani të vogël ndërkombëtare, për tu përqëndruar në këto raste, për tu siguruar që ato të ndiqen, dhe për të ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, në mënyrë që në fund, kur të largohet edhe ajo prani e vogël ndërkombëtare, të ketë një system të fortë drejtësie, të aftë për të trajtuar edhe rastet më të vështira”.

Zoti Moskoviç thekson se disa nga problemet që ka sistemi gjyqësor në Kosovë nuk janë unike për Kosovën. “Ka probleme që lidhen me kapacitetet, mbrojtjen e dëshmitarëve, mbrojtjen e gjykatave, gjykatësve dhe prokurorëve, këto nuk janë probleme unike për Kosovën, janë probleme në rajon, në botë”. Zoti Moskoviç thotë se një numër i madh rastesh që kanë të bëjnë me trazirat e marsit janë ndjekur penalisht dhe puna vazhdon me rastet e mbetura. “Shumë raste që kanë të bëjnë me trazirat e marsit janë ndjekur penalisht, disa qindra njerëz janë arrestuar dhe penalizuar me sukses, në pjesën më të madhe nga gjykatat dhe prokurorët vendas. Ndërkombëtarët kanë marrë rastet më serioze, mendoj rreth 57 prej tyre, dhe kanë proceduar ose zgjidhur me sukses rreth 70 përqind të tyre. Këta janë numra të këqinj, veçanërisht kur mendon sesa vështirë është të trajtosh këto raste. Në pjesën më të madhe, kjo kërkon sigurimin e bashkëpunimit të dëshmitarëve që mund t’u kërkohet të dëshmojnë kundër miqve të tyre, ndoshta të afërmve, fqinjëve. Kjo është vështirë të bëhet në cilindo vend. Fakti që po bëhet këtu në Kosovë, në një situatë pas-konflikti, dhe e bërë me pak a shumë sukses, është dicka për të cilën mund të jesh krenar”.

Zoti Moskoviç shton se megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë. Prokurorët vendas, prokurorët ndërkombëtarë, dhe policia, locale dhe ndërkombëtare, po punojnë së fundi së bashku për të përfunduar me shpejtësi atë që ka mbetur. Ai pohon gjithashtu se një nga rastet e fundit që lidhet me trazirat e marsit, ka rezultuar në 5 arrestime muajin e fundit, një rast tjetër është gati për në gjyq, dhe pritet të fillojë brenda një ose dy muajsh. Të dyja këto raste kanë të bëjnë me akuza të rënda për trazirat e marsit. Shqiptarët e Kosovës janë të pakënaqur me punën që është bërë deri tani për ndjekjen dhe sjelljen para gjyqit të serbëve që kanë kryer krime në Kosovë.

Drejtori i Departamentit të Drejtësisë së administratës ndërkombëtare në Kosovë, Albert Moskoviç, thotë se ka pasur ndjekje të tyre që kanë rezultuar në dënime në lidhje me krime të kryera nga serbët. “Ka probleme shumë të mëdha. Shumë nga ata që i kanë kryer këto krime nuk janë më në Kosovë. Janë në Serbi ose në vende të tjera. Nga pikëpamja e ligjit është jashtëzakonisht e vështirë për Kosovën dhe vecanërisht tani para zgjidhjes së statusit përfundimtar, që të marrin juridiksion për individë që nuk janë në Kosovë. Kjo kërkon bashkëpunim të gjerë rajonal, sinqerisht bashkëpunim midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe në këtë fazë të realitetit politik, një bashkëpunim i tillë është i kufizuar. Mendoj se deri sa të përmirësohet kjo, do të vazhdojë të jetë e vështirë që të ndiqen individë, autorë krimesh, mbrojtës të tyre, që fizikisht nuk janë më në Kosovë”.

Drejtësia dhe sistemi gjyqësor në Kosovë mbeten ende të brishta. Zoti Moskoviç, nënvizon se duhet patur parasysh nga nisi ndërtimi i këtij sistemi gjyqësor, para 7 vjetësh.

XS
SM
MD
LG