Lidhje

Në prag të përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit


Para 5 vjetësh, Shtetet e Bashkuara u goditën nga sulmet terroriste më shkatërrimtare në historinë e tyre. Në materialin e mëposhtëm, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera i hedh një vështrim pasojave kombëtare dhe ndërkombëtare të këtyre sulmeve.

Më 11 shtator 2001, 4 aeroplanë të firmave amerikane u rrëmbyen. Dy prej tyre u përplasën në Qendrën Botërore të Tregëtisë në New York, duke i shkatërruar ato godina. Aeroplani i tretë u përplas në Pentagon afër Washingtonit, ndërsa aeroplani i katërt, si rezultat i trimërisë së pasagjerëve, u përplas në një fushë në shtetin e Pensilvanisë.

Gati 3 mijë veta humbën jetën si rezultat i këtyre sulmeve të bashkërenduara. Në mbrëmjen e asaj dite, presidenti Bush mbajti një fjalim për vendin e tronditur. “Sot, bashkëatdhetarët e mij, mënyra jonë e jetesës, liria jonë u godit nga një seri sulmesh të qëllimshme terroriste. Viktimat ishin në aeroplanë, ose në zyrat e tyre - sekretarë, afaristë, punonjës ushtarakë e federalë, nëna dhe baballarë, miq e komshinj. Mijëra jetë njerish pa pritur morën fund për shkak të akteve terroriste keqdashëse dhe të neveritshme”, tha presidenti.

Hetimet që pasuan treguan se grupi radikal islamik al-Qaidës, i udhëhequr nga Osama bin Ladeni, ishte përgjegjës për sulmet terroriste. Të 19 rrëmbyesit e aeroplanëve ishin nga Lindja e Mesme.

Ekspertët thonë se sulmet e 11 shtatorit e bashkuan vendin. Në atë kohë u fol për përpjekje ndërpartiake dhe për lënien mënjanë të politikës. Por Tim Roemer, anëtar i komisionit i ngarkuar me hetimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 thotë se situata ka ndryshuar. “Në atë kohë, 90 përqind e amerikanëve mbështesnin presidentin Bush. Më 11 shtator për ata që u vranë nuk u tha sa demokratë apo republikanë humbën jetën. Atë ditë u vranë amerikanët dhe amerikanët e tjerë u bashkuan si një të vetëm. Tani ne po jetojmë në një prej sistemeve politike më të ndara në historinë e vendit tonë.” Roemer dhe analistë të tjerë fajësojnë për këtë gjendje kongresin dhe administratën.

Pak pas sulmeve të 11 shtatorit, Presidenti Bush shpalli luftën globale kundër terrorit, e cila vazhdon edhe sot. Objektivi i parë ishte Afganistani. Qevria e kontrolluar nga Talebanët strehonte al-Qidën dhe Osama Bin Ladenin. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i përmbysi talebanët. Por Osama Bin Ladeni nuk është kapur ende. Besohet se ai fshihet në zonat e thella malore të Afganistanit dhe Pakistanit.

Lufta kundër terrorizmit ishte një prej arsyeve që dha administrata e presidentit Bush për largimin nga pushteti të Sadam Huseinit. Por ngjarrjet pasuese nuk kanë provuar nëse ka patur lidhje midis Sadamit dhe sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Sulmet e 11 shtatorit sollën ndryshime në Amerikë. Siguria në aeroporte u shtua. Më shumë se 20 agjenci u bashkuan për të formuar departamentin e ri të sigurisë kombëtare, ndërkohë që agjencitë e zbulimit janë ristrukturuar. Gjithashtu ligje të reja kanë shtuar kompetencat e agjencive të rendit, ligje që janë kritikuar nga grupe liberale, duke i cilësuar si tepër ndërhyrëse. Por administrata e presidentit Bush thotë se këto masa janë të nevojshme për të luftuar kërcënimin terrorist.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë pësuar ndonjë sulm terrorist që nga 11 shtatori i vitit 2001 dhe këtë administrata e cilëson si sukses. Por ekspertët pohojnë se kjo nuk do të thotë që kërcënimi është pakësuar, madje sugjerojnë që si institucionet amerikane edhe vetë populli duhet të jenë vigjilentë. //rd//

XS
SM
MD
LG