Lidhje

Nju Jork: nderohet ish-administratori i Kosovës Soren Jessen-Petersen


Ish-administratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen tha se Kosova do të bëhet e pavarur por ambicjet e saj duhet të shkojnë përtej pavarësisë. Ai kritikoi gjithashtu Serbinë për ato që ai i quajti taktika vonuese dhe tha se shqiptarët nuk duhet ta zhvendosin vemendjen nga procesi i statusit. Zoti Jessen-Petersen i bëri komentet mbrëmë në një ceremoni të mbajtur në Nju Jork, gjatë së cilës ai dhe disa personalitete të tjera u nderuan me çmime.

Soren Jessen-Petersen erdhi në Nju Jork për të marrë çmimin prestigjoz Duart e Shpresës, që organizata Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan u jep çdo vit personaliteteve të cilët kontribuojnë në çështje që janë të rëndësishme për shqiptarët.

Shqiptarët i njohin atij meritën se në periudhën kur shërbeu si përfaqësues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, çështja e statusit të Kosovës hyri në kalendarin e zgjidhjes përfundimtare dhe autoriteti i UNMIK-ut u rrit ndjeshëm pas një pike të ulët që arriti në vitin 2004.

Në fjalimin që mbajti përpara qindra pjesmarrësve me rastin e marrjes së çmimit, zoti Jessen-Petersen shprehu bindjen se Kosova do të fitojë pavarësinë. Por ai tha se ky nuk duhet të jetë caku i fundit për Kosovën.

“Ne të gjithë e dimë se Kosova do të bëhet e pavarur dhe do të jetë e pavarur shumë shpejt. Por ambiciet e Kosovës duhet të shkojnë përtej pavarësisë. Udhëheqësit dhe populli i Kosovës duhet ta përqendrojnë tani vemendjen te ndërtimi i një shoqërie në të cilën populli të ketë dëshirë të jetojë dhe fëmijët të kenë dëshirë të rriten”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet për ndërtimin e shtetit ligjor, të punojnë me sinqeritet që Kosova të jetë një shoqëri shumetnike dhe të zhvillojnë ekonominë.

Ish shefi i UNMIK-ut kritikoi ato që ai i quajti taktika vonuese të Serbisë dhe tha se shqiptarët nuk duhet të humbasin përqendrimin te procesi për përcaktimin e statusit.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Eliot Engel tha se kur Kosova të bëhet e pavarur, kjo do të jetë si rrjedhojë e punës së palodhur të njerëzve të tillë si Jessen-Petersen.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Fatmir Mediu përshëndeti në emër të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha.

“Ne duhet të ndjekim shembullin e zotit Jessen-Petersen për ndërtimin e Kosovës së pavarur, një Kosove të lirë dhe në paqe për të gjithë, pavarësisht nga prejardhja etnike. Pikërisht për një Kosovë të tillë është edhe qeveria e Shqipërisë, tha ministri Mediu”.

Në veprimtarinë e mbrëmshme u nderua me çmimin për arritje jetësore edhe Bruno Selimaj, pronar i restorantit të njohur Bruno në Manhatan.

Një njeri fjalëpak, zoti Selimaj e ka bërë restorantin e tij pikë takimi për politikanë, shkrimtarë, artistë, klerikë dhe personalitete të shquara të botës shqiptare sa herë që ata kanë ardhur në Amerikë.

Gjatë disa dekadave të ekzistencës së tij, Restoranti Bruno ka pritur edhe figura të njohura të politikës amerikane me të cilët është diskutuar për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

“E ndjej veten shumë mirë dhe falenderoj ata që sugjeruan për këtë çmim, por unë jam vetëm njëri prej atyre që kanë punuar për këtë çështje kudo në botë. Punën nuk e kemi kryer akoma. Duhet të punojmë dhe të jemi më të bashkuar”.

Harry Bajraktari, një tjetër biznesmen i njohur i komunitetit shqiptar të Nju Jorkut u nderua me një çmim të Shtëpisë së Bardhë, të quajtur Çmimi Presidencial i Thirrjes për Shërbim. Shtëpia e Bardhë shprehu me këtë rast vlerësimin për hapat e bëra nga komuniteti shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme të jetës.

XS
SM
MD
LG