Lidhje

Amerikanët përkujtojnë 5 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit


Amerikanët po përkujtojnë sot 5 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit duke mbajtur momente heshtjeje dhe duke lexuar emrat e viktimave.

Presidenti Bush po viziton të tre vendet e goditura nga sulmet që vranë gati 3 mijë njerëz brenda pak orësh, duke i bërë ato sulmet më vdekjeprurëse në tokën amerikane.

Zoti Bush dhe zonja e parë Laura vendosën një kurërë me lule për nder të viktimave në fushën e hapur në Shanksville të Pensilvanisë ku avioni i rrëmbyer u rrëzua pasi pasagjerët u munduan të merrnin kontrollin nga terroristët. Avioni besohet se ishte drejtuar për në Shtëpinë e Bardhë ose ndërtesën e Kongresit amerikan. 40 vetë vdiqën në atë sulm. Zoti Bush përshëndeti familjet e viktimave të mbledhur në shunë në një ditë të gri.

Sot paradite, presidenti Bush u bashkua me zjarrëfikësit dhe oficerët e policisë në një zjarrëfikëse të Nju Jorkut. Ata ulën kokat dhe heshtën dy herë pikërisht në kohën kur rrëmbyesit përplasën dy avionët në Qendrën Botërore të Tregëtisë duke shkatërruar të dyja kullat binjake.

Tingujt e gajdeve u dëgjuan në Nivelin Zero, në vendin ku dikur qëndronin kullat. Bashkëshortët dhe të afërmit e 2 mijë e 749 njerëzve të vrarë në dy kullat lexuan një për një emrat e viktimave. Anëtarë të tjerë të familjeve të tyre u bashkuan për t’i dëgjuar emrat duke mbajtur në duar fotografi të të dashurve të tyre dhe buqeta lulesh.

Po sot presidenti Bush do të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon. Avioni i rrëmbyer që u përplas në Pentagon vrau 184 vetë.

XS
SM
MD
LG