Lidhje

Presidenti Bush i drejtohet vendit me rastin e 5-vjetorit të sulmeve terroriste


Presidenti Bush përkujtoi 5-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 me një vizitë në tre vendet ku pati viktima si dhe me një fjalim drejtuar kombit. Presidenti bëri thirrje për bashkim kombëtar përballë kërcënimit të vazhdueshëm terrorist.

Dita e djeshme ishte një ditë e mbushur me imazhe të fuqishme dhe me emocione po aq të fuqishme.

Mbrëmë, Presidenti iu drejtua me një fjalim popullit amerikan në rolin e tij jo thjesht si udhëheqësi i një vendi që është në luftë por edhe si njeriu që dëshiron t’u gjendet pranë atyre që humbën të afërmit e tyre.

”Në këtë ditë, ne përkujtojmë të pafajshmit që humbën jetën, u bëjmë homazh atyre që dhanë jetën në mënyrë që të tjerët të mund të jetonin,"

Zoti Bush përshkroi vuajtjen që pa në fytyrat e familjarëve të viktimave si dhe ndikimin që humbja e jetës njerëzore më 11 shtator 2001 ka patur tek populli amerikan.

”Nga këto vuajtje, ne dalim me vendosmërinë për të nderuar çdo burrë dhe grua që humbi jetën. Ne do t’i përkujtojmë ata përjetë, në një botë më të sigurt dhe më me shpresë.”

Ai tha se lufta kundër terrorizmit është më shumë se sa një konflikt ushtarak. Presidenti theksoi se kjo është lufta vendimtare ideologjike e shekullit të 21, është motoja e një brezi të tërë.

”Amerika nuk e kërkoi vetë këtë luftë dhe çdo amerikan do të dëshironte që ajo të mbaronte. Po kështu edhe unë. Por lufta nuk ka mbaruar dhe nuk do të ketë mbaruar derisa të kemi dalë fitimtarë ose ne ose ekstremistët.”

Amerika qendroi si një njeri i vetëm në ditët që pasuan 11 shtatorin 2001 ndërkohë që vendi shkonte drejt luftës. Por pakënaqësitë lidhur me gjendjen në Irak kanë krijuar tensione, të cilat dallohen sidomos në fushatën e tanishme për zgjedhjet në Kongresin amerikan.

Presidenti nuk i përmendi kritikët e tij në fjalimin e mbrëmshëm. Por ai foli për kujtimet nga sulmet e 11 shtatorit në përpjekje për t’u treguar amerikanëve se nga zhvillimet në Irak dhe në rajonin e gjerë të Lindjes së mesme do të varen shumë gjëra.

”Vendi ynë ka kaluar nëpër sprova dhe ne kemi përpara një rrugë të vështirë. Fitorja në këtë luftë do të kërkojë përpjekjet e vendosura të një vendi të bashkuar. Prandaj, ne duhet të lemë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të punojmë së bashku për të realizuar detyrën që na ka dhënë historia.”

Presidenti Bush tha se fitorja në Irak do të jetë me rëndësi jetike. Ai tha se udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden e ka quajtur luftën për Irakun “Lufta e Tretë Botërore”. Ai premtoi se nuk do ta lerë kurrë Irakun në duart e terroristëve të tillë si bin Ladeni. Në një kohë kur angazhimi i administratës së tij për kërkimin e udhëheqësit të al-Kaidës po vihet në pikëpyetje, Presidenti Bush theksoi vendosmërinë për kapjen e bin Ladenit.

”Osama bin Ladeni dhe terroristë të tjerë vazhdojnë të qendrojnë të fshehur. Mesazhi ynë ndaj tyre është i qartë: Pavarësisht se sa kohë do të duhet, Amerika do t’ju gjejnë dhe do t’ju nxjerrin para drejtësisë.”

Presidenti Bush tha se për Shtetet e Bashkuara, sulmet e 11 shtatorit ishin më tepër se sa një tragjedi. Ai tha se ato ndryshuan mënyrën se si amerikanët e shikojnë botën. Presidenti shtoi se në atë ditë tragjike, vendi pa fytyrën e së keqes. Amerika, tha ai, e ka mposhtur të keqen edhe më parë dhe do ta bëjë këtë përsëri.//ii

XS
SM
MD
LG