Lidhje

Irani thotë se është i hapur për kushte të reja në bisedimet mbi programin e tij bërthamor


Presidenti i Iranit thotë se vendi i tij është i hapur për ato që ai i cilëson si “kushte të reja” për të zgjidhur ballafaqimin me Perëndimin lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Në një konferencë shtypi sot në Senegal, Presidenti Mahmud Ahmadinexhad nuk dha hollësi për kushtet, por tha se Irani kërkon dialog për të zgjidhur krizën.

Ai e vuri në dyshim mundësinë që Kombet e Bashkuara të bien dakord për vendosjen e sanksioneve pasi, siç u shpreh ai, nuk ka arsye për një masë të tillë.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Tony Snow përsëriti sot se negociatat mund të fillojnë pasi Teherani të ketë pezulluar veprimtaritë për pasurimin e uraniumit.

Ndërkaq, kryeministri i Kinës Wen Gjiabao shprehu përsëri kundërshtim ndaj sanksioneve. Ai tha se çështja bërthamore duhet zgjidhur përmes negociatave.

Në Pekin, një zëdhënës i ministrisë së jashtme i bëri thirrje Iranit të zgjidhë në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet. //kk//

XS
SM
MD
LG