Lidhje

Shqipëria angazhohet për plotësimin e reformave dhe bën thirrje për zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës 


Zv/Ministrja e jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi, e cila ndodhet në Uashington tha se vendi shpreson të marrë lajme të mira nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Riga dhe që të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim. Lidhur me Kosovën, ajo theksoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Grupit të Kontaktit dhe të vullnetit të popullit të Kosovës për statusin përfundimtar. Zonja Harxhi ishte e ftuar të fliste për Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin në dy organizata në Uashington.

Zonja Harxhi tha në Klubin Kombëtar të Shtypit ne Uashington se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet që të plotësojë kushtet për integrim në strukturat euro-atlantike. Zv/Ministrja e jashtme tha se një pjesë e kritereve janë edhe politike dhe Shqipëria po përpiqet t’i përmbushë këto standarde.

“Situata politike në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar dhe ndoshta kjo është falë 15 vjetëve të një demokracie shumë të brishtë në Shqipëri. Kështu që disa njerëz i shohin reformat demokratike dhe pluralizmin si anarki. Megjithatë, nuk do të doja të lija pa përmendur edhe temperamentin mesdhetar që nuk duhet nënvleftësuar dhe mund ta kuptoni sesi mund të shndërrohen klima politike në këtë rast”.

Zonja Harxhi pranoi që një klimë e paqendrueshme politike ka ndikimin e vet në reforma, por theksoi se marrëveshja politike për zgjedhjet lokale po shkon shumë mirë aktualisht.

“Qeveria po jep garanci të plota që këtë radhë zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe shpresojmë që Shqipëria të mos dalë më në faqet e gazetave ndërkombëtare me lajme negative përsa u takon zgjedhjeve”.

Zyrtarja e lartë e Ministrisë së Jashtme paraqiti një tablo të Shqipërisë jo vetëm politikisht, por edhe si një vend tërheqës per investitoret. Ajo ftoi investitorët amerikanë që të shfrytëzojnë mundësitë dhe shanset që jep Shqipëria duke pëmendur edhe fushatën “Shqipëria 1 Euro”.

Biseda e zonjës Harxhi në qendrën Woodrow Wilson i ishte kushtuar thuajse tërësisht Kosovës dhe Ballkanit. Ajo theksoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Grupit të Kontaktit dhe të vullnetit të popullit të Kosovës për statusin përfundimtar.

“Qeveria shqiptare ka mbështetur pavarësinë si shprehje të vullnetit të lirë të Kosovës. Dhe nëse kjo është dëshira e tyre dhe ajo të cilën ata kanë kërkuar për vite me radhë, edhe ne e mbështesim një gjë e tillë”.

Një gjë e tillë tha ajo, do të siguronte paqen dhe sigurine edhe për rajonin në përgjithësi, duke pasur parasysh edhe shpresat për integrim të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

“Paqja është ende e brishtë kur vihet në kontekstin e statusit përfundimtar në Kosovë. Çdo vonesë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për statusin përfundimtar mund të hapë rrugën për një valë pasigurish në rajon”.

Gjatë takimit në Qendrën Wilson Center pjesëmarrësit kujtuan dhe nderuan edhe zotin Gramoz Pashko për kontributin e tij për demokracinë në Shqipëri dhe bashkëpunimin me këtë qendër.

XS
SM
MD
LG