Lidhje

Presidenti Moisiu nis konsultimet për datën e zgjedhjeve vendore


Ashtu siç kishte premtuar pak ditë më parë kreu i shtetit Alfred Moisiu nisi sot kontaktet me partitë për datën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Ai zhvilloi takime të veçuara me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Bamir Topi dhe me atë të partisë socialiste Pandeli Majko, takime nga të cilat nuk u duk asnjë shenjë ndryshimi në pozicionet e secilës palë për këtë pikë e cila duket se po kthehet në një tjetër pengesë serioze.

Zoti Topi akuzoi opozitën se po bëhet pengesë për të gjithë procesin zgjedhor. Partia e tij në pushtet këmbëngul në respektimin e afatit sipas të cilit zgjedhjet duhet të mbahen brenda intervalit kohor 22 dhjetor - 22 janar dhe shtoi se opozita duhet të bëhet bashkëpunuese në komisionin e reformës zgjedhore që të gjitha palët të kenë mundësi të respektojnë kushtetutën: "Nuk mund të preket kushtetuta sa herë i teket një individi për ta futur vendin në kaos. Jemi në momentin për të diskutuar për orën dhe jo ditën se jemi shumë afër. Unë gjykoj se ka vetëm pretekste për ta dështuar procesin zgjedhor e për të shkuar pas tekave të një individi për të zgjatur pa fund mandatin ilegjitim sepse gjithshka parashikohet në tre vjet. Në parim kemi diskutuar për ta cuar në 4 vjet, por mandati i pushtetarëve aktual është tre vjet dhe asnjë ditë më shumë", tha zoti Topi.

Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë sociliste Pandeli Majko thotë se këtu nuk bëhet fjalë për teka dhe se shqetësimi i vetëm ka të bëjë me problemet që shoqërojnë periudhën e dimrit e që mund të cënojnë zgjedhjet: "Për PS cështja e datës nuk përbën problem në kuptimin që nuk kemi asnjë frikë të fillojmë përballjen me zotin Berisha dhe të vetët, qysh nesër. Nuk mund të anashkalojmë faktin që në dy të tretat e vendit rrezikojmë ose të kemi probleme të energjise elektrike ose probleme të bllokimit të rrugëve nga dëbora. Ky është një problem që duhet diskutuar në mënyrë politike dhe aspak në mënyrën sikur dikush përpiqet të respektojë kushtetutën, apo dikush ta shkelë atë", tha zoti Majko.

Në të vërtetë afati i zgjedhjeve vendore nuk është përcaktuar në kushtetutë, por në kodin zgjedhor. Kjo pikë për të cilën palët prej kohësh kishin qëndrime të kundërta, nuk u përfshi në marrëveshjen e arritur. Tashmë e vetmja zgjidhje duket një kompromis i ri për të ndërhyrë në kodin elektoral ose mbartja e një krize të re me pasoja për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG