Lidhje

Rohan skeptik për përparimin në bisedimet Prishtinë-Beograd


Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara thotë se të paktat duken gjasat për arritjen e përparimit në bisedimet mes përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë lidhur me statusin e Kosovës.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara Albert Rohan tha sot se shanset që të dyja palët të mund të arrijnë kompromis mbi statusin e ardhshëm të Kosovës po duken gjithnjë e më të pakta. Ai tha se takimet mes dy palëve nuk pritet të japin rezultat në çështjen e decentralizimit të pushtetit në Kosovë. Raundi i fundit i bisedimeve që rifilloi sot në Vjenë u përqëndrua tek të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Bisedimet e mëparshme mbi këtë çështje kanë ngecur që nga muaji shkurt. Shumica shqiptare e Kosovës kërkon pavarësinë por pakica serbe dhe Beogradi kërkojnë që Serbia të mbajë një farë kontrolli mbi Kosovën. Ndërmjetësuesit e Kombeve të Bashkuara janë përpjekur të ngushtojnë mosmarrëveshjet midis dy palëve.

Të mërkurën anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së bënë thirrje për shtimin e përpjekjeve për përparim në bisedimet e ngecura.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit në Prishtinë shprehën sot zhgënjimin e tyre të thellë që parlamenti i Kosovës nuk miratoi dje një amandament në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë, sipas të cilit kërkohej që gjuha turke të bëhej gjuhë zyrtare në komunën e Prizrenit.

Amandamenti ishte propozuar nga një komision i veçantë i përbërë nga përfaqësuesit e UNMIK-ut, Këshillit të Evropës, institucioneve vendase dhe grupit parlamentar Gjashtë Plus. Grupi i Kontaktit tha se mosmiratimi i këtij amandamenti paraqet një aspekt shkurajues për vullnetin e parlamentit për të marrë në konsideratë shqetësimet e komuniteteve të rëndësishme etnike në Kosovë.

Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit u tërhoqën vërejtjen të gjithë deputetëve të parlamentit, por sidomos atyre që votuan kundër amandamentit, si dhe pushtetit në Kosovë, se shfaqja e përkushtimit të tyre për të siguruar dhe përmirësuar të drejtat e komuniteteve etnike në Kosovë do të jetë një faktor vendimtar në përcaktimin e statusit final të Kosovës

XS
SM
MD
LG