Lidhje

Përpjekjet për të frenuar tkurrjen e shtresës së ozonit kanë dhënë rezultat


Shkencëtarët thonë se ka lajme të mira për shtresën e ozonit të atmosferës, e cila mbron Tokën nga rrezet e dëmshme ultravjollcë. Mesa duket përpjekjet globale për të ndaluar efektin e tkurrjes së shtresës së ozonit kanë dhënë rezultat.

Vrima në shtresën mbrojtëse të ozonit nuk po zmadhohet. Dejvid Hofman nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e bëri këtë deklaratë në një konferencë shtypi ditët e fundit në Uashington.

“Në Antarktidë ne themi se gjendja e pacientit nuk po keqësohet, sepse vrima e ozonit nuk po thellohet apo zgjerohet. Të dhënat tregojnë se reduktimi i ozonit ka ndaluar. Gjendja nuk po keqësohet. Kjo ishte faza e parë e rikuperimit të ozonit.”

Shkencëtarja Suzan Solomon, nga e njëjta organizatë, thotë se rikuperimi nënkupton pakësimin e efekteve të dëmshme për njeriun:

“Ulja e përqindjes së ozonit rrit depërtimin e rrezeve ultravjollcë, të cilat mund të shkaktojnë shumë efekte biologjike. Nga më të njohurat është rritja e rrezikut nga kanceri i lëkurës. Një shtresë më e hollë ozoni rrit mundësinë e krijimit të perdes në sy.”

Zonja Solomon i ka ndjekur këto studime për më shumë se 20 vjet. Në vitin 1986 ajo drejtoi një ekspeditë në Antarktidë, për të kontrolluar vrimën në shtresën e ozonit e cila ishte zbuluar një vit më parë nga shkencëtarët britanikë.

“Në atë kohë kishte dyshime në radhët e shkencëtarëve për vetë ekzistencën e vrimës në shtresën e ozonit. Sot ky fenomen është i njohur dhe dihet se kjo vrimë mbulon gjithë kontinentin e Antarktidës, pothuajse dyfishi i sipërfaqes së Shteteve të Bashkuara.”

Ekipi i shkencëtares Solomon fajëson produktet industriale që përmbajnë me karbon, fluor dhe hidrogjen, që gjenden tek deodorantët dhe ftohësit. Bashkësia ndërkombëtare reagoi menjëherë. Brenda vitit 1989 OKB-ja miratoi një traktat për të eliminuar komponentët e dëmshëm kimikë. Përqindja e tyre u reduktua në masën 90 përqind deri në fund të vitit 1990.

Por këto komponentë përhapen në atmosferë edhe nga burime të pakontrolluara, si nga frigoriferët ose pajisjet e ajirit të kondisionuar e flakura në plehra, ose nga materialet izoluese në gropat e plehrave.

Komponentët e dëmshëm kimikë qëndrojnë në atmosferë nga 50 deri në 100 vjet, por si rezultat i përpjekjeve për eliminimin e tyre, zonja Solomon parashikon që vrima e ozonit të zvogëlohet brenda një dekade.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të mbikqyrim përqindjen e ozonit, jo vetëm për të parë nëse reduktohet, por të sigurojmë se masat e marra do të jenë efektive.”

Ajo shton se pret që vrima e ozonit të jetë mbushur plotësisht brenda vitit 2060.

XS
SM
MD
LG