Lidhje

Harxhi: Mesazhi im per SHBA - Shqipëria është në proces reformash


Në Uashington ndodhet prej disa ditësh për një vizitë Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi. Zonja Harxhi javën e kaluar mbajti disa leksione me temën e Kosovës dhe Ballkanit, si dhe mbi reformat e Shqiperisë, në kuadrin e përpjekjeve për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, në Qendrën Wilson, në Qendrën Kombëtare të Shtypit dhe në Korpusin e Paqes, këtu në Washington. Zëvendësministrja Harxhi dha një intervistë për programin televiziv “Ditari”.

Zëri i Amerikës: Zonja Harxhi, ju keni patur një program të ngjeshur gjatë këtyre ditëve këtu në Washington. Çfarë keni biseduar në takimet që keni patur me zyrtarë amerikanë?

Edith Harxhi: Ka qenë me të vërtetë një javë shumë interesante. Nga takimet që kam patur këtu në Washington, kam parë një mbështetje mjaft të madhe për Shqipërinë, për reformat në Shqipëri, për proceset integruese të Shqipërise, sidomos NATO-n dhe natyrisht, për çështjen e Kosovës. Mendoj që kjo ka qenë edhe një nga pikat kryesore që janë diskutuar këto ditë, përveç fjalimeve që unë kam mbajtur ne Wilson Center dhe në National Press Center këtu në Uashington, dhe në Korpusin e Paqes; tema të tjera që kemi diskutuar në Departamentin e Shtetit, në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres, kanë qenë midis midis të tjerash, në fokus ka qenë ka natyrisht, aderimi i Shqipërisë në NATO, reformat e Shqipërisë dhe Kosova.

Zëri i Amerikës: Zonja Harxhi, pikerisht synimi i Shqipërsië është anëtarësimi në organizatat evropiane dhe në NATO. Çfarë përpjekjesh i duhet të bëjë ende Shqipëria për të përmbushur kriteret e anëtarësimit?

Edith Harxhi: Mesazhi im këto ditë drejtuar autoriteteve të administratës amerikane ka qenë pikërisht ky: Shqipëria është në një proces reforme, është në një proces në të cilin do të ketë reformë politike, reforma në fusha të ndryshme, dhe në atë ekonomike, dhe ne shpresojmë shumë, se përveçse që shpresojmë shumë se do të marrim një mesazh të mirë në Samitin e Rigës, që do të jetë dikur në nëntor, shpresojmë se do të marrin edhe ftesën për në NATO për 2008-ën. Për këtë kam gjetur mbështetje mjaft të madhe këtu në Departament të Shtetit, dhe në Shtëpinë e Bardhë në të njëjtën kohë; mendohet që aderimi i Shqipërisë në NATO dhe në organizata të tjera dhe në këtë rast, në NATO, do të jetë një motivim mjaft i mire për të gjithë rajonin dhe Ballkanin, përveç faktit tjetër, që artikulimi ynë përsa i përket aderimit të Shqipërisë në NATO nuk është thjesht ndjenja dhe ideja që thjesht do të jemi pjesë e kësaj organizate të sigurisë, por në të njëjtën kohë, që edhe shqiptarët të jenë pjesë e kësaj organizate, që të marrin diçka që ju takon pikërisht në këtë organizatë dhe pikërisht në NATO.

Zëri i Amerikës: Lidhur me çështjen e Kosovës: qëndrimi i Shqipërisë ka qenë që statusi i Kosovës duhet të jetë pavarësia, në përputhje me kërkesën e shumicës së popullsisë shqiptare atje. Kohët e fundit është folur për një resolute, ku nuk do të përmendet termi pavarësi, por as termi sovranitet i Serbisë ndaj Kosovës. Në takimet që keni patur me zyrtarët amerikanë, çfare keni biseduar lidhur me këtë cështje?

Edith Harxhi: Një nga pikat kryesore, siç thatë edhe ju, të vizitës sime këtu, ka qenë Kosova. Fokusi dhe qëndrimi ynë për Kosovën, megjithë mesazhet që janë dhënë deri tani nga qeveria e Shqipërisë, sidomos gjatë vizitës që pati kryeministri i Shqipërisë në Kosovë, kanë qenë natyrisht, një nga pikat kryesore të bisedës sime këtu. Nga takimet që kam patur në Kongres, në Shtëpine e Bardhe dhe natyrisht, sot, ne Departamentin e Shtetit, të gjitha pikëpamjet për Kosovën kanë qenë të përpashkëta. Megjithatë, mënyrën e zgjidhjes e shohin në forma të ndryshme. Në përgjithësi, kam gjetur një mbështetje mjaft të madhe për zgjidhjen e statusit të Kosovës, brenda mandatit të zotit Marti Ahtisari. Përsa i përket një rezolute të mundshme, kjo nuk është biseduar në mënyrë specifike në takimet që kam patur këtu. Megjithatë, të dyja palët si ne, ashtu edhe edhe pala amerikane, gjatë bisedave që kam bërë, puqemi në një pikë: në nevojën e menjëhershme të zgjidhjes së statusit të Kosovës sa më parë. Pala jonë, është shprehur që pavarësia është ajo që do të qetësonte Ballkanin, do të qetësojë Kosovën dhe që natyrisht do të çonte shumë vende dhe Ballkanin perëndimor në përgjithësi, drejt proceseve integruese më tej. Pala amerikane ka shtruar gjithmonë nevojën, që duhet, natyrisht të ketë sa më tepër qetësi dhe maturia e faktorit politik në Kosovë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen; edhe në qoftë se procesi nuk do të mbyllet brenda dy-tre muajsh, duhet maturi, sepse do të arrihet në pikën kur ky proces do të përfundojë dhe natyrisht, mendimi i përbashkët është se ai do të përfundojë me sukses dhe në favor të Kosovës dhe të paqes dhe të sigurisë në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Kosova dhe Serbia kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe Kosova ka qenë nën juridiksionin e Serbisë në ato kushte. Aktualisht, a bëhet fjalë për një ndryshim të rezolutës që ka të bëjë me juridiskioninin e Serbisë ndja Kosovës?

Edith Harxhi: Përsa i përket ndonjë ndryshimi të rezolutave, nuk kemi biseduar me zyrtarë amerikanë por me think-tank (lexo: analistë) amerikanë. Megjithatë, edhe ata janë pjesë e politikë-bërjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si edhe në vende të tjera të botës. Mendohet se do të ketë një resolutë në të ardhmen. Megjithatë, se çfarë do të përmbajë kjo resolutë, akoma nuk dihet. Dihet qe rezoluta 12-44 për momentin është e vjetëruar, për arsye se Kosova është në një stad më të lartë se sa viti 1999. Ka patur një progress politik, një progress ekonomik, maturi politike; tani, ka edhe negociata, kuptohet. Por, ka një moment: Rezoluta 12-44 e ve Kosovën nën kupolën e ish-Jugosllavisë. Ish-Jugosllavia nuk ekziston më. Tani ne nuk kemi më si tre vjet përpara Serbi-Mali i Zi, por kemi thjesht Serbi, në këtë rast. Natyrisht, që kërkohet, pra të ketë një rezolutë të re, që edhe Kosova të dihet se çfarë pozicioni do të ketë nën këtë rezolutë. Dhe me anën e kësaj rezolute, do të tregohej ndoshta edhe mënyra se si bashkësia ndërkombëtare do të donte që të zgjidhej çështja e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Le t’i kthehemi edhe një here zhvillimeve në Shqipëri. Diplomacia shqiptare përpiqet të krijojë kontakte me shtetet e tjera, mes të tjerash, edhe për të përmirësuar imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë në botë. Acarimi i marrëdhënieve pozitë-opozitë a është bërë pengesë në punën tuaj si diplomatë?

Edith Harxhi: Diplomacia shqiptare mbetet mjaft aktive. Në të gjitha prioritetet që ne i kemi vënë vetes, duke filluar nga NATO, Bashkimi Evropian, Kosova, mbarëvajtja e Marrëveshjes së Ohrit dhe kuptohet, marrëdhëniet me të gjitha vendet dhe bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet bilateral dhe shumëpalëshe. Megjithatë, situata politike në Shqipëri është e tillë, që në momente të caktuara prodhon edhe tension e stres. Nuk do të thotë që kjo ka efektin e saj në aktivitetin tonë politik. Por në anën tjetër ne po mundohemi me sa mundemi që të japim një imazh që shqiptarët nuk janë prodhues të konflikteve, të tensioneve politike si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Dhe kjo është në të mirë jo vetëm të gjithë Shqipërisë, por në të mire të të gjithë rajonit në përgjithësi. Mendoj se tani ka një qetësi relative në Shqipëri, përsa i përket marrëdhënieve midis forcave politike. Uroj me të vërtetë, që kjo të vazhdojë edhe më tej, sepse siç thashë pak më përpara, se është në të mire jo vetëm të politikës së jashtme të Shqipërisë, por edhe në atë të Ballkanit dhe rajonit në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Dhe si gjithmonë shtrohet pyetja: përse duhet të ndërhyjnë të huajt për të arritur një frymë marrëveshjeje në Shqipëri?

Edith Harxhi: Ndoshta, sepse shqiptarët kanë një demokraci në ndërtim e sipër; 15 vjet demokraci: bile kjo është edhe një nga tezat që unë kam shtruar këto ditë në Departamentin e Shtetit dhe në administratën amerikane. Është një demokraci e brishtë, ndoshta dhe pluralizmi është në rrugën e tij gjithnjë e më tepër. Pra, kërkohet përsëri nga jashtë që të ketë ide të reja dhe të hapen mundësi të reja që të gjitha palët politike në Shqipëri të kuptojnë që tani ajo që vlen më tepër nuk është aspekti i politikës së brendshme, por është ajo se ku po shkojnë shqiptarët, dhe ku do të shkojnë shqiptarët.

XS
SM
MD
LG