Lidhje

Prishtina dhe Shkupi diskutojnë mbi thellimin e bashkëpunimit ekonomik


Një delegacion i qeverisë së Kosovës, i drejtuar nga kryeministri Agim Çeku ishte për vizitë në Shkup. Dy qeveritë kanë shprehur interes për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se qeveria e tij do të njohë çdo lloj pavarësie për Kosovën që del si rezultat i vendimit nga Kombet e Bashkuara, por theksoi se çështja e shënimit të kufirit me Kosovën duhet të bëhet para ose në kuadër me statusin e Kosovës. Megjithatë, të dy qeveritë e shikojnë demarkacionin e kufirit si një çështje teknike.

Zoti Agim Çeku është kryeministri i parë i cili takohet me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski që kur zoti Gruevski mori nën drejtim qeverinë e Maqedonisë. Në takim është diskutuar për projekte të përbashkëta në fushën e transportit dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Maqedonia po e ndjek me kujdes procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës, dhe mbështet zgjidhjen që do të dalë me ndërmjetësimin ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara. Maqedonia është e interesuar që në këtë proces të mbrohen sovraniteti dhe tërsia tokësore e saj. “Nëse vendimi është për pavarësi të Kosovës, apo pavarësi me kusht, ne, tha kryeministri Gruevski, “do ta mbështesim atë si vendim të OKB-së”.

Kryeministri Çeku e ka siguruar kryeministrin maqedonas Gruevski se nga ana e Kosovës nuk mund të pritet asnjë lloj kërcënimi ndaj Maqedonisë. Dy kryeministrat tentojnë që bashkërisht të zhvillohet lufta kundër grupeve kriminale në rajon.

Maqedonia dëshiron që sa më parë të mbyllet çështja e kufirit me Kosovën dhe kjo të bëhet para statusit përfundimtar të Kosovës. Kryeministri Çeku tha se qeveria e tij dëshiron marrëdhenie miqësore me te gjithë fqinjët në rajon. “Ne jemi të bindur se pavarësia e Kosovës është në të mirë të të gjithëve në rajon përfshirë edhe Maqedoninë. Kosova do të jetë një forcë për të mirë në rajon dhe do të ndikojë dukshëm në proceset për stabizlimin dhe sigurisë në rajon”, tha kryeministri i Kosovës.

Zoti Çeku vërejti se marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë kanë marrë prirje pozitive. Ai shtoi se Kosova dhe Maqedonia do të përbënin një treg më të madh dhe të rëdësishëm në rajon dhe një udhëkryq të rëndësishëm komunikacioni dhe transporti në Evropë.

Në delegacionin e Kosovës ishte edhe zëvendëskryeministri Lutfi Haziri dhe ministra të tjerë: “Të dinamizojmë marrëveshjet tona; bashkëpunimin në të gjitha fushat e domosdoshme dhe të ecet përpara në këtë kohë shumë kritike që statusi i Kosovës do të finalizohet për disa muaj dhe Kosova e Maqedonia do të vazhdojnë format e bashkëpunimit që është në interes të dyanshëm në mënyrë që qeveritë tona t’i arrijnë synimet që i kanë vënë vetes përpara”.

Kryeministri Çeku u takua edhe me drejtues të partive politike në Shkup. Ali Ahmeti i BDI-së i ka folur atij për shkeljen e vullnetit të votuesve shqiptarë nga ana e zotit Nikolla Gruevski. “E kam njoftuar shumë hapur zotin Çeku se mandatari Gruevski nuk e ka përfillur vullnetin e shqiptarëve. Këtë duhet ta dinë të gjithë”.

Zoti Çeku bisedoi edhe me Arbër Xhaferin e PDSH-së, me Vllado Buçkovskin e Lidhjes Social Demokrate dhe me kryetarin e Parlamentit Lubisha Georgievski. //ad//

XS
SM
MD
LG