Lidhje

Sekretari amerikan i Mbrojtjes viziton Shqipërinë


Për herë të dytë, sot sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld mbërriti për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Avioni i forcave ushtarake amerikane u ul pasdite në pistën e aeroportit ushtarak në Rinas, ku sekretari Rumsfeld u prit nga ministri shqiptar i mbrojtjes Fatmir Mediu. Vizita e tij ishte paraprirë nga masa të forta sigurie.

Për 5 orë me radhë qarkullimi në kryeqytet ishte bllokuar në disa akse rrugorë. Zoti Rumsfeld do të jetë nesër pjesmarrës në një mbledhje të ministrave të mbrojtjes së vendeve të europës juglindore. Ndërsa sot pasdite ai nisi menjëherë takimet zyrtare me autoritetet shqiptare.

Ai zhvilloi bisedime me ministrin Fatmir Mediu dhe më pas mori pjesë në ceremoninë e dekorimit të disa komandove shqiptare që kanë marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Irak. Një dekoratë e veçantë iu dha prej tij edhe shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Pëllumb Qazimi.

Në fjalën e tij të shkurtër sekretari amerikan ka falenderuar edhe një herë Shqipërinë për angazhimin e saj në Irak duke e cilësuar këtë si një kontribut historik për lirinë:

“Mendoj se pas 5, 10, 20 vjetëve do keni mundësi të hidhni sytë para e të shihni kontributin që ju dhe vendi juaj ka dhënë e do të ndjeheni krenarë per këtë”, tha zoti Rumsfeld.

Në të vërtetë Shqipëria ishte ndër vendet e para që u rreshtua në krah të Shteteve të Bashkuara. Ndonëse edhe shtete të fuqishme janë tërhequr nga Iraku, Shqpëria, sic rikonfirmoi edhe sot ministri Fatmir Mediu do të vazhdojë të qëndrojë atje përsa kohë do të jenë dhe trupat amerikane.

Vizita e sekretarit amerikan ka vijuar drejt selisë së qeverisë për një takim me kryeministrin Sali Berisha e më pas është zhvilluar takimi me kreun e shtetit Alfred Moisiu. Përvec marrëdhënieve bilaterale një vend të rëndësishëm në bisedime ka zënë çështja e integrimit të Shqipërisë në Nato.

Autoritetet e këtushme shpresojnë që në takimin e nivelit të Lartë të Natos për zgjerimin të ketë një ftesë të qartë për anëtarësimin e Shqipërisë. Duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria, në takimin me kryeministrin Sali Berisha sekretari amerikan ka theksuar se “vlerësimet për cështje jo ushtarake janë po aq të rëndësishme për anëtarësim” duke theksuar domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit.

Mbledhja e nesërme në Tiranë do të bashkojë përfaqësues nga 13 shtete. Nisma e ministerialit të mbrojtjes së vendeve të Europës juglindore synon të kontribuojë pë sigurinë në rajon përmes promovimit të bashkëpunimit rajonal dhe rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimit ushtarak të vendeve pjesëmarrëse. Në kuadër të kësaj nisme ishte dhe takimi I ministrave të mbrojtjes në Uashington dhjetorin e kaluar. Shqpëria që prej vitit të kaluar ka kryesimin e radhës të cilin do ta mbajë deri në korrik të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG