Lidhje

Presidenti Bush: Terroristët po shfrytëzojnë gjendjen në Irak


Presidenti Bush thotë se disa fragmente të dokumentit mbi lidhjet mes luftës në Irak dhe terrorizmit, do të bëhen publike sa më parë që të jetë e mundur.

Presidenti tha se ai është dakord me përfundimet në raportin Përllogaritja Kombëtare e Zbulimit dhe shtoi se terroristët po e shfrytëzojnë gjendjen në Irak. Njoftimet e medias amerikane të dielën mbi studimin e ri theksonin se analistët kishin arritur në përfundimin se lufta në Irak kishte krijuar një brez të ri terroristësh islamikë dhe kishte rritur kërcënimin e terrorizmit global.

Presidenti Bush hodhi poshtë aludimet se lufta në Irak ishte gabim. Ai tha se sulmet terroriste ndodhën para se Shtetet e Bashkuara të ndërhynin ushtarakisht, përfshirë këtu edhe sulmet e 11 shtatorit 2001.

Presidenti Bush tha se informacioni nga dokumenti u nxor në shtyp për qëllime politike para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin amerikan. Presidenti i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për shtyp që mbajti në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai.//lk

XS
SM
MD
LG