Lidhje

DaimlerChrysler drejt Kinës për prodhimin e makinave me kosto të ulët


Kompania gjermano-amerikane e makinave, DaimlerChrysler thotë se po shkurton prodhimin e tyre në Amerikë për t’u përqëndruar më shumë në prodhimin e makinave të vogla më të efektshme në Kinë. Kompania është në negociata me partnerë kinezë për të prodhuar automobilë me kosto të ulët për tregun amerikan.

DaimlerChrysler u bashkua me vrullin e prodhuesve të tjerë të makinave për të kapur një pjesë të tregut kinez që po lulëzon. Këtë muaj, kompania me bazë në Gjermani hapi zyrtarisht një uzinë të re në Pekin, me fizekzaret dhe festimet tradicionale. Drejtori Dieter Zetsche thotë se uzina është pjesë e investimit prej një presje 9 miliardë dollarë në Kinë. "Siç e dinë të gjithë ky është një nga vendet më dinamike dhe me rritje ekonomike në botë. Dhe DaimlerChrysler është shumë krenar të luaj rol në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kinës". Kina është tregu i dytë më i madh në botë për makina pas Shteteve të Bashkuara me shtatë milion shitje të reja çdo vit.

Kompania thuhet se është në bisedime me një kompani shtetërore kineze për të shitur makina të vogla të ndërtuara në Kinë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Kryetari i grupit Chrysler Tom Lasorda thotë se kompania ka në plan të paraqesë dhjetë modele të reja këtë vit. "Thelbi është se kemi nevojë për një partner që ka kosto të ulët dhe cilësi të lartë. Nuk mund të përjashtojmë këtu Kinën dhe as tregjet evropiane apo pjesë të Azisë pasi ka një numër lojtarësh të rëndësishëm dhe do t’i analizojmë të gjithë".

Ndryshe nga prodhuesit e tjerë të makinave që nxjerrin makina të ndërtuara për tregun kinez, Dieter Zetsche thotë se modelet e Mercedesit dhe të Chryslerit të prodhuara në Kinë do të jenë identike me modelet që shiten në botë. "I vetmi ndryshim do të jetë vendi i origjinës. Përsa i takon cilësisë, ka vetëm një të tillë për të gjitha produktet e Mercedesit apo të Chryslerit në të gjithë globin". Kompania ka në plan të pakësojë ngarkesat në Shtetet e Bashkuara me 15 përqind për shkak të uljes së shitjeve të kamionëve dhe makinave sportive.

Megjithëse DaimlerChrysler thotë se operacionet e saj ndërkombëtare kanë qënë fitimprurëse, shitjet në Amerikë kanë rënë me 10 përqind këtë vit duke rezultuar në humbje që parashikohet të arrijnë një miliardë e 500 milion dollarë në tremujorin e katërt.

XS
SM
MD
LG