Lidhje

Shqipëria e gatshme të dërgojë trupa paqeruajtëse në Liban


Qeveria e Shqipërisë mund të marrë pjesë me trupa ushtarake edhe në misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban. Si kryeministri Sali Berisha, ashtu edhe ministri i mbrojtjes Fatmir Mehdiu u kanë shprehur autoriteteve italiane propozimin dhe gatishmërinë që trupat shqiptare të veprojnë përkrah atyre italiane. Megjithatë, Ministri Mehdiu saktësoi për Zërin e Amerikës se autoritetet do të vazhdojnë bisedimet rreth kësaj çështjeje.

Më se një herë, autoritetet më të larta të Shqipërisë kanë shprehur gatishmërinë për të zgjeruar pjesmarrjen e trupave të ushtrisë në misione paqeruajtëse. Shqipëria është anagzhuar në Bosnje, Afganistan dhe së fundi edhe në Irak, ku ajo përfaqësohet me një kompani të trupave komando, forca të ngritura falë ndihmës dhe trainimit të dhënë kryesisht nga ekspertë italianë dhe amerikanë.

Tani qeveria po shikon mundësinë e dërgimit të njësive të saj edhe në Liban. Ideja është hedhur fillimisht nga kryeministri Sali Berisha. Në fillim të këtij muaji, gjatë një vizite në Bari të Italisë, ai i shprehu kryeministrit italian Romano Prodi këtë gatishmëri, duke i propozuar që trupat shqiptare të jenë në krah të atyre italiane.

Kjo temë është trajtuar dy ditë më parë edhe në takimin e ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu me zëvendësministrin italian Leonardo Falcieri, i cili ndodhej në Tiranë me rastin e ministerialit të mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore.

Ministri Mediu i shpjegoi Zërit të Amerikës se kishte disa arësye që e kanë shtyrë qeverinë për të menduar pjesmarrjen në këtë mision të ri. Reshtimi përkrah italianëve lidhet me faktin se Italia është një ndër shtetet që kanë kontribuar më shumë në formimin e trupave ushtarake shqiptare.

Nga ana tjetër, në ndryshim nga misionet në Afganistan dhe në Irak, të cilat janë nën komandën e NATO-s, këtë herë bëhet fjalë për një mision të Kombeve të Bashkuara ku Shqipëria si vend anëtar e ka për detyrë të japë kontributin e saj. Në një kondvështrim historik, mes Shqipërisë dhe Libanit ka patur lidhje të hershme, gjë që sipas autoriteteve të Shqipërisë do të ishte një faktor më shumë për ushtarët shqiptarë që do të shkonin atje.

Në një kuptim më praktik, zyrtarët thonë se shtrirja e pjesmarrjes së Shqipërisë në misione të tilla do të rriste prestigjin e forcave ushtarake shqiptare dhe mund të ishte një plus më shumë në përpjekjet e vendit për anëtaresim në NATO, objektiv për të cilin, siç përsëriti edhe kryeministri Sali Berisha dy ditë më parë, Shqipëria është e gatshme të paguajë çdo çmim. //ii

XS
SM
MD
LG