Lidhje

Raporti i zbulimit për Irakun: analistët debatojnë


Nxjerrja e disa të dhënave të një raporti të zbulimit në shtyp e nxiti Presidentin Bush të bëjë publike pjesë të këtij raporti. Dokumenti është rezultat i bashkëpunimit të të gjitha agjencive amerikane të zbulimit.

Pjesë të raportit ende sekret, që u publikuan në disa gazeta amerikane, thonë se lufta në Irak e ka vështirësuar luftën kundër terrorizmit.

Ish-oficeri i CIA-s, Michael Scheurer, i cili dikur ka drejtuar një njësi për ndjekjen e Osama bin Ladenit, thotë për Zërin e Amerikës se puna për raportin ka kërkuar kohë dhe se është dakord që nxjerrja e pjesëve të raportit për shtypin ka motive politike.

“Kur unë dhashë dorëheqjen më 2004, një ndër informacionet e fundit kishte të bënte me një oficer të zbulimit kombëtar, të ngarkuar me përgatitjen e raportit vlerësues. Përgatitja ka marrë të paktën 18 muaj dhe nuk është e papritur që tashmë ka përfunduar. Por duket që si nxjerrja e pjesëve të raportit për median, edhe përpjekjet e administratës kundër publikimit të tij, janë qartazi të motivuara politikisht”.

Në një diskutim në Washington mbi fragmentet e raportit vlerësues që tani janë të hapura për publikun, Drejtori i Zbulimit Kombëtar, John Negroponte, tha se dokumenti mbulon shumë më tepër se vetëm luftën në Irak.

“Është një përmbledhje tepër e gjerë mbi prirjet në terrorizmin global dhe si i tillë, raporti na jep një vlerësim gjithpërfshirës të problemeve kryesore që kanë përballë Shtetet e Bashkura, duke ofruar studimin më të mirë të zbulimit që mund të hartohet për vendim-marrësit”.

Një raport i tillë është përgjithësisht rezultat i një pune tepër të bashkërenduar të të gjitha agjencive amerikane të zbulimit. Me kërkesën e një ligjvënësi, apo me iniciatëvën e tyre, zyrtarë nga 16 agjenci mblidhen bashkë dhe shqyrtojnë në hollësi një aspekt apo zonë gjeografike. Pastaj, Drejtori i zbulimit kombëtar e nënshkruan raportin vlerësues dhe ia paraqet presidentit.

Bill Nolte, ish-zëvendës-ndihmës-drejtor i degës së studimeve të CIA-s ka punuar për rreth 30 raporte vlerësuese gjatë karrierës së tij. Ai thotë se gjykimet mbi variantin përfundimtar mund të jenë të afërta apo kundërta, gjë që varet se sa agjenci të ndryshme mund të bien dakord.

“Para disa vitesh punova për një raport vlerësues zbulimi mbi një X vend të mbytur nga gjakderdhja. Në përgatitjen e variantit përfundimtar qëllonte që nuk binim dakord për ndonjë çështje dhe shkruanim se “nuk jemi të një mendimi, shumica e njerëzve mendojnë kështu, por Departameti i Shtetit mendon ashtu, e CIA kështu. Gjithmonë kam menduar se ai ishte raport i mrekullueshëm, sepse vendimarrësit krijonin përshtypjen që kjo ishte një çështje e vështirë dhe se do të ishte e vështirë të arrihej një konsensus i menjëhershëm”.

Analistët thonë se përfundimet e publikuara të raportit nuk janë aq të papritura. Drejtori Neogroponte thotë, për shembull, se al-Qaida është dëmtuar mjaft nga përpjekjet amerikane kundër terrorizmit.

“Ato i kanë shkaktuar dëme serioze udhëheqjes së al-Qaidës dhe aspektit operacional të saj. Megjithatë, mendojmë se al-Qaida do të vazhdojë të përbëjë kërcënimin më të madh ndaj Shteteve të Bashkuara dhe interesave të tyre jashtë, që mund të vijnë nga çdo grup terrorist”.

Por ish-oficeri i CIA-s, Michael Scheurer, thotë se nuk ka kriterre të qarta e konkrete për të matur suksesin ndaj al-Qaidës.

Raporti vlerësues thotë gjithashtu se natyra e al-Qaidës ka ndryshuar nga ajo e vitit 2001, në një organizatë më të decentralizuar, me operacione që kryhen më tepër nga simpatizues të pavarur, se sa të drejtuar nga bin Ladeni e ndihmësit e tij.//ii

XS
SM
MD
LG