Lidhje

Projektligj i ri për rregullat e trajtimit të të dyshuarve për terrorizëm


Presidenti Bush tha sot se lufta kundër terrorizmit është objektivi parësor i brezit të sotëm. Fjalimi tij, para një grupi rezervistësh u përqëndrua tek Afganistani dhe Pakistani, një ditë pas takimit me presidentët e të dy këtyre vendeve. Presidenti Bush tha se Presidentët Karzai dhe Musharaf, e kuptojnë atë që ai e quan "lufta ideologjike e shekullit të 21-të". Fjalimi ishte i fundit i një sërë të tillësh për luftën kundër terrorit, dhe bëhet në një kohë që Shtëpia e Bardhë po shqyrton një projekt ligj që përcakton rregullat dhe procedurat e marrjes në pyetje dhe të gjykimit të të dyshuarve për terrorisëm.

Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve miratuan ligjin e ri të debatueshëm, të propozuar nga presidenti Bush mbi trajtimin dhe gjykimin e terroristëve të dyshuar që mbahen nga Shtetet e Bashkuara. Pas dhjetë orë debati, senati miratoi dje ligjin me 65 vota pro dhe 34 kundër. Dhoma e Përfaqësuesve e kishte miratuar më parë një projekt-ligj të ngjashëm me 253 pro dhe 168 kundër. Presidenti kishte kërkuar miratimin e shpejtë të ligjit para zgjedhjeve të 7 nëntorit dhe pritet që ka firmosë atë brenda kësaj jave.

Debati filloi në qershor, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që e quajti jo-kushtetuese praktikën e administratës së Presidentit Bush për t’i gjykuar terroristët e dyshuar dhe rreth 450 të ndaluarit që mbahen në Guantanamo, nga gjykatat ushtarake. Presidenti Bush u përgjigj me një propozim të ri, duke i kërkuar Kongresit të miratojë ngritjen e gjykatave ushtarake dhe të qartësojë taktikat që hetuesit amerikanë mund të përdorin ligjërisht sipas Konventës së Gjenevës për t’i detyruar të ndaluarit të flasin. "Informacioni që marrim nga këta të dyshuar konfirmon zbulimet që kemi marrë nga burime të tjera dhe së bashku ato na kanë ndihmuar të ndalim sulmet para se ato të ndodhin", tha presidenti.

Brian Walsh, ekspert ligjor në Fondacionin Heritage, pohon se taktikat e rrepta të marrjes në pyetje, që kërkon presidenti, janë të nevojshme. "Nuk mund t’u referohemi vetëm standarteve të Gjenevës që mbulojnë ushtarët e rregullt, ku i pyet thjesht për emrin dhe gradën që kanë. Një formë e tillë do të na lidhte duart dhe nuk do të na lejonte të kyenim luftën kundër terrorizmit, që është para së gjithash një luftë zbulimi", thotë analisti.

Kundërshtarët argumentuan se caktimi i rregullave do të dobësonte Konventën e Gjenevës dhe se taktikat e torturës nxjerrin informacione të pasakta. Shtëpia e Bardhë ra dakort për një projektligj që do të ndalonte akte të tilla si vrasjet apo ngacmimet seksuale por që do t’i jepte presidentit autoritetin e vetëm për të interpretuar aspekte të tjera të Konventës së Gjenevës.

Senatori John McCain, kundërshtar i përdorimit të metodave të ashpra të hetimit, më pas tha se beson se projktligji përfundimtar ndalon hetuesit e CIA-s të përdorin metoda të tilla si mbytjet e simuluara apo detyrimin e qëndrimit në këmbë për më shumë se 40 orë. Grupet e të drejtave të njeriut dhe kritikë të tjerë megjithatë, thonë se legjislacioni ende lejon teknika të tilla torturash që janë të ndaluara nga Konventa e Gjenevës.

Avokati Anant Raut përfaqëson disa të ndaluar në Gjirin Guantanamo: "Administrata e presidentit Bush ka një përkufizim shumë të ngushtë të torturës. Ata nuk konsiderojnë ato që pjesa tjetër e botës i shohin si tortura".

Sipas legjislacionit të ri 14 të dyshuarit kryesorë që u transferuan në Guantanamo do të gjykohen nga gjykatat ushtarake të cilat mund të përdorin dëshmitë e marra me metodat e përdorura. Por shumica e të ndaluarve të Guantanamos janë mbajtur aty për gati pesë vjet dhe nuk janë akuzuar për ndonjë krim. Legjislacioni i ri iu heq të drejtën të burgosurve të tillë të kundërshtojnë këtë para një gjykate civile. Kjo e drejtë u është mohuar edhe gati 14 mijë njerëzit që mbahen në burgjet sekrete amerikane jashtë vendit, praninë e të cilave zoti Bush e pranoi për herë të parë këtë muaj.

Brian Walsh i Fondacionit Heritage del në mbrojtje të sistemit të tanishëm dhe thekson se statusi i secilit të burgosur rishikohet periodikisht nga zyrtarët ushtarak. "Ne po mundohemi me të gjitha mënyrat për të mos lejuar që këto gjëra të ndodhin. Asnjëherë nuk do të kemi një sistem perfekt, do të ndodhin ndoshta padrejtësi kundër tyre. Por kjo është pasoja e përballjes me një armiq që kërkon të të vrasë. Në se amerikanët ndjejnë se kërcënimi nuk është shumë i madh ose në se duan t’i lenë të lirë këta njerëz apo t’u japi atyre të drejta të mjaftueshme që na lidhin duart për t’i hetuar, kjo është përsëri në duart e amerikanëve".

Kundërshtarët thotë se legjislacioni legjitimizon tiraninë. "Shtetet e Bashkuara kanë qënë për një kohë të gjatë shembulli për pjesën tjetër të botës. Tani po i dërgojmë njerëzit në burgje sekrete për t’i torturuar dhe po i burgosim për vite me radhë pa kryer asnjë krim", thotë avokati Raut.

Miratimi i ligjit para zgjedhjeve ishte një nga përparësitë kryesore të republikanëve që kanë në plan të sulmojnë demokratët që kanë kundërshtuar fushatën e tyre. Kundështarët thotë se ligji është hartuar për përdorim politik afatshkurtër dhe parashikojnë se Gjykata e Lartë do ta hedh atë poshtë. //rd//

XS
SM
MD
LG