Lidhje

Udhëheqësit e Natos dakord të shtojnë praninë në Afganistan


Udhëheqësit e Natos, të mbledhur në Slloveni, ranë dakord të shtojnë praninë e Aleancës në Afganistan. Por takimi dyditor në ish-republikën jugosllave u errësua nga tensionet ndëmjet Rusisë e fqinjes së saj, Gjeorgjisë, e cila kërkon lidhje më të ngushta me Naton.

Dita e fundit e takimit të Natos në pikën turistike të Sllovenisë, Portoroz, u mbyll dje me një grindje që i ngjante kohës së Luftës së Ftohtë.

Rusia, e ftuar si vend jo-anëtar i Natos, akuzoi Gjeorgjinë se po kërkon zgjidhje ushtarake për konfliktet në dy provinca separatiste pro-ruse.

Ministri rus i mbrojtjes, Sergei Ivanov, tha me zemërim se gjerogjianët po furnizohen me armë të paligjshme nga disa vende të Natos në mënyrë që të sulmojnë rajonet separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore.

“Është krejtësisht e qartë se Gjeorgjia ka zgjedhur rrugën ushtarake për të zgjidhur problemet në Abkazi dhe Osetinë Jugore”.

Ivanov akuzoi Gjeorgjinë se po furnizohet me armë që dikur u ishin dhënë aleatëve të Evropës Lindore nga Bashkimi Sovjetik. Ai tha se aleatët e dikurshëm të Moskës nuk kanë të drejtë t’i japin armë asnjë vendi tjetër. Ivanov nuk përmendi emra, por në ish-shtetet satelite të Bashkimit Sovjetik, që janë anëtarësuar në Nato përfshihen Hungaria, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe, kohët e fundit, vendet balltike, Bullgaria, Rumania e Sllovenia.

Tensionet ndërmjet Moskës dhe Tbilisit janë shtuar ditëve të fundit pasi Gjeorgjia ngriti akuza për spiunazh kundër katër oficerëve të ndaluar rusë. Moska është gjithashtu e shqetësuar në lidhje me përpjekjen e Gjeorgjisë për t’u përfshirë në Nato.

Grindja ndërmjet Rusisë e Gjeorgjisë hodhi hije mbi përparimet e bëra në konferencë në fusha të tjera, përfshirë një marrëveshje që zgjeron operacionet e Natos në mbarë territorin afgan dhe kalon nën komandën e aleancës 10 mijë trupat amerikane të dislokuara në Afganistanin Lindor.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos, gjenerali Jaap de Hoop Scheffer, la të kuptohej se këto vendime nevojiten për të luftuar më me efektshmëri ekstremistët telebanë dhe të al-Kaidës.

“Për hir të popullit afgan dhe, në të vërtetë, të gjithëve ne, sigurimi duhet të triumfojë për t’i hapur rrugën rindërtimit dhe zhvillimit të Afganistanit. Forcat kundërshtare duhet të munden përfundimisht. Afganistani nuk duhet të kthehet kurrë më në një bazë të terrorizmit ndërkombëtar”.

Ministrat e 26 vendeve të Natos në takimin e Sllovenisë gjithashtu rishkuan planet për ngritjen e një Force Përgjigjëse të Natos për dislokim të shpejtë në kuadër të operacioneve paqeruajtëse dhe kundër terrroizmit në mbarë botën.

I ashtuquajturi transformim i Natos nga një aleancë ushtarake antisovjetike e kohës së Luftës së Ftohtë në një makinë luftarake moderne do të jetë në krye të rendit të ditës të një samiti që do të zhvillohet në Rigë të Letonisë në fund të nëntorit. //ii

XS
SM
MD
LG